Serbët e veriut kërcënojnë me bllokadë të kufirit
Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës kërkojnë që policia në vendkalimet kufitare Jarinë e Bërnjak të pushojnë të japë afishe me të cilat paralajmërohet pagesa e sigurimit kufitar. Anëtari i ekipit për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Lubomir Maric ka deklaruar për Tanjug se nëse menjëherë nuk ndalohet me këtë aktivitetet, do të bllokohen tërësisht vendkalimet në Jarinë e Bërnjak si dhe rrugët që shpien andej.
Siç transmeton Koha.net, Maric ka thënë se kryetarët e katër komunave nga veriu i Kosovës kanë mbajtur sot në mëngjes këshillime me anëtarët e ekipit udhëheqës dhe bashkërisht e kanë marrë këtë vendim.
Dje dhe sot shoferët, që kanë kaluar nëpërmes pikëkalimit Bërnjak e Jarinë, kanë marrë afishet të cilat njoftohet se nga 8 janari i vitit 2014 do të nisë shitja e policave të sigurimit kufitar dhe, se kjo është në interes të shoferëve dhe se në këtë mënyrë ofron mbulesë për dëm të mundshëm në ndonjë aksident komunikacioni.
Ky njoftim është i shkruar në gjuhën serbe, shqipe dhe në atë angleze dhe u është dhënë shoferëve që kalonin në dy pikëkalimet e sipërpërmendura nga Serbia për në veri të Kosovës. /Indeksonline/