Çfarë mashtruesi ky “Navy SEAL që vrau Bin Ladenin”!
Një amerikan, që pretendonte se kishte qenë pjesëtar i forcave speciale elitare Navy SEAL, në fakt ka rezultuar një mashtrues, që kishte marrë mijëra dollarë nga investitorët.
A.J Dicken u thoshte njerëzve se ai ishte anëtari më i dekoruar i forcave speciale Navy SEAL, duke pretenduar madje se ishte mes atyre që qëlloi për vdekje Osama bin Laden.
Por jo vetëm kaq, ai thoshte investitorëve se ishte personi që kishte vrarë baronin e drogës në Kolumbi, Pablo Escobar.
Dhe në fakt mashtrimet e tij bënë punë.Ai ngriti një kamp stërvitor dhe me mbështetjen e dy mjekëve, arriti të krijojë edhe një kompani në fushën e mbrojtjes, të quajtur “Global Resources and Logistics”.
E kështu, 57- vjeçari që nuk ka asnjë lidhje me ushtrinë, por që ka punuar vetëm si banakier, arriti të merrte një kontratë nga një grup i lidhur me Kombet e Bashkuara me një vlerë prej gati gjysmë miliard dollarë. Të kujton pak a shumë edhe historinë e djaloshit Efraim Diveroli.
Një veterane e marinës, Carol Roberts, thotë se kur e takoi në fillim atë, mbeti e befasuar.“Ishte një burrë i madh dhe me autoritet”.Por gjërat nisën të ndryshojnë kur ata udhëtuan njëherë për në Burundi.
Në hotel, dritat ikën dhe Dicken nisi të sillej si një njeri që nuk kishte ndonjë eksperiencë ushtarake.Nisi të kishte kriza paniku.“Ai u çmend. Kapi telefonin, shkoi në dhomën tjetër dhe po fliste me CIA-në. U thoshte të pozicionin satelitin në mënyrë që të sigurohej që rebelët nuk do vinin ta kapnin”.
Këtu nisën dyshimet.Roberts gërmoi më shumë dhe u tregoi investitorëve për jetën e Dicken. Sapo filluan ta pyesin, Dicken u arratis fillimisht në shtëpinë e prindërve të tij dhe më pas në Alabama në një zonë të braktisur.
Ai tani do të përballet me akuzat për mashtrim, ndërsa ka refuzuar të komentojë për mediat historinë e tij të mashtrimit./Indeksonline/