Kalo te lënda

LDK reagon për arrestimin e Ardijan Sinanit

ldk-reagon-p-euml-r-arrestimin-e-ardijan-sinanit_hdLidhja Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, ka reaguar ndaj arrestimit të kryetarit të nëndegës së kësaj partie, Ardijan Sinanit, duke e akuzuar Policinë e Kosovës se ka ushtruar dhunë ndaj tij.

Sipas një komunikate të lëshuar për medie, LDK thotë se Ardijan Sinani, kryetari i nëndegës: Resinovc-Baicë, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe është arrestuar pa asnjë sqarim.

“Gjatë arrestimit të tij policia ka përdorur dhunë fizike të pakursyer, (në prezencë të kalimtarëve të rastit dhe taksistëve lokal në Lipjan, të cilët janë të gatshëm për të dëshmuar rastin). Të tre policët e njëjtë e kanë dërguar në stacion të policisë Ardijan Sinanin duke vazhduar dhunën fizike dhe psikike. Rrahja ka vazhduar edhe brenda stacionit. Ndërsa në veturën e Ardijan Sinanit, kryetarit të nëndegës në Lipjan kishin mbetur shufra metalike të policëve dhe zyrtarëve”, thuhet në komunikatë.

Në njoftim thuhet se për degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbetet shqetësim jashtëzakonisht i madh sjellja e tillë e policisë dhe nuk ka asnjë justifikim dhuna e tillë e ushtruar ndaj aktivistit të LDK-së.

Sipas tyre, pavarësisht veprimit të qytetarit në fjalë Policia e Kosovës duhet të sillet me profesionalizëm e jo e frustruar nga rezultatet e zgjedhjeve lokale të keqpërdor uniformen e shtetit.

Lini një koment