Kalo te lënda

Ahmeti: Do ti mbaj zotimet

fotoQ6RQB04DKryetari i ri i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vitin 2013 e ka konsideruar si vit me plot sfida ekonomike e sociale për qytetarët e Prishtinës. Megjithatë në një intervistë të fundvitit për Indeksonline, Ahmeti tha se po në këtë vit është hedhur hapi i parë drejt ndryshimeve në Kosovë. Ai premton punë e angazhim për qytetarët e Prishtinës.

“Vitin 2013 e konsideroj vetëm si fillim të ndryshimeve. Është bërë vetëm hapi i parë. Prandaj tani duhet të punojmë të gjithë në vitin 2014 që ky ndryshim të bëhet i vërtetë, jo vetëm në Prishtinë por në gjithë Kosovën”, tha ai.

Shpend Ahmeti ka thënë se në vitin e kaluar qytetarët e Kosovës janë ballafaquar me shumë probleme ekonomike e sociale. “Ka pas shumë sfida në vitin 2013. Për mua mbetet gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale në të cilën gjindemi. Shumë pak rritje e zhvillim e shumë pabarazi në shoqëri. Kjo sfidë do të na përcjell me vite”, është shprehur kryetari.

Balotazhi i zgjedhjeve të 1 dhjetorit ka ndryshuar pushtetin në shumicën e komunave të Kosovës. E në kryeqytet ka ndodhur ndryshimi i madh ku nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës me kryetar Isa Mustafën, Prishtina tanimë po qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpend Ahmeti.

Foto nga festimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë

Megjithatë kryetari i ri, në pyetjen se a është fitorja e tij në Prishtinë, fitorja më e madhe e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2013, ka thënë se ky është vetëm hapi i parë drejt ndryshimit të madh dhe se është rasti ku ai dhe lëvizja e tij do të tregohen në qeverisje.

“Është rast për neve të tregohemi në qeverisje. Është një sfidë e madhe dhe tepër e rëndësishme për të gjithë neve jo vetëm në Vetëvendosje. Më duhet të potencoj se lajm i mirë është edhe ndalja e faljes së PTK një kompanie pothuajse të panjohur Axos me shumë pak punëtor e histori”, tha Ahmeti.

Shpendi premtoi se do të punoj në vitin 2014 për të rregulluar mirëqenjen e qytetarëve të Prishtinës, dhe tha se do të realizojë zotimet që ka bërë gjatë fushatës.“Puna është fjala kryesore. Ne kemi zotimet tona,12 sosh, kemi programin tonë, kemi sfidat. Në të gjitha këto kemi filluar të punojmë dhe disa do të japin rezultate këtë vit, disa të tjera më vonë”, tha ai.

Gjithashtu Ahmeti ka përshendetur të gjithë qytetarët duke i falenderuar për mbështetje e besim ai u ka uruar më pak halle e më shumë lumturi. “Më shumë punë, më pak varfëri, më pak halle dhe natyrisht lumturi”, uroi kryetari. Shpendi natën e viti të ri e kaloj duke vizituar të gjitha shërbimet publike ndërsa mesnatën në shesh bashkë me qytetarët.

Lini një koment