Pajtimi në Kosovë në optikën e fotografëve ndërkombëtarë! (Foto)
Marrëdhënia mes shqiptarëve dhe serbëve është ende e rënduar nga e shkuara. Ç’formë merr pajtimi në këto kushte? Një grup ndërkombëtar fotografësh përpiqen të gjejnë përgjigje vizuale për një temë të rëndësishme.
Përmendorja e vëllazërim-bashkimit në Prishtinë nuk është më moderne, megjithatë ajo ende ekziston: e madhe, e pa mirëmbajtur dhe e pa anashkalueshme, simbol i një kohe të shkuar. Dikur kjo përmendore gjigande prej betoni simbolizonte vëllazërinë dhe bashkimin mes popujve të Jugosllavisë. Sot monumenti i martirëve është një dëshmitar i heshtur i një sistemi politik të tejkaluar.
Fotografi e prerë e monumentit të martirëve në Prishtinë (Foto: Jetmir Idrizi)
“Monumenti na kujton se shqiptarët dhe serbët kanë një të shkuar të përbashkët”, thotë fotografi kosovar, Jetmir Idrizi. Ai e ka fotografuar monumentin bardhezi dhe e ka copëzuar fotografinë në shirita të hollë. Shumë nga motivet fotografi i gjen në Mitrovicë, në veri të Kosovës. Qyteti verior që nga koha e luftës është i ndarë dhe në gjendje të jashtëzakonshme. Në veri të qytetit jetojnë serbët, ndërsa në jug shqiptarët. Ura e barrikaduar mbi lumin Ibër është kthyer në simbol të konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve.
Që nga viti 2008 Kosova është e pavarur, por shumë serbë, që ende nuk duan ta pranojnë këtë realitet, e shohin Kosovën si pjesë të Serbisë. Marrëveshja e prillit 2013 rrit shpresat për një normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Për Jetmir Idrizin pajtimi lidhet mjaft me të shkuarën e përbashkët të etnive të ndryshme në vend.
Brezi i vjetër në Kosovë e ka të vështirë pajtimin (Foto: Csaba Meszaros)
Duhet parë edhe një herë e shkuara për të shkuar përpara. Së bashku me pesë fotografë të tjerë nga Mongolia, Hungaria, Mali, Gjermania dhe territoret palestineze, ata kanë shëtitur një javë nëpër Kosovë. Secili prej tyre ka pasur fokusin e tij për të interpretuar temën e pajtimit. Fotografët kanë fiksuar portrete njerëzish, peizazhesh, situatash në ndryshme në vend. Veprat e tyre gjenden në ekspozitën fotografike “Pajtimi në Kosovë”, të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ). Ekspozita paraqitet njëkohësisht në Prishtinë, Bon dhe Berlin.
Jetmir Idrizi ka lindur në Prishtinë. Në kohën e luftës, 15 vjeçari – së bashku me familjen – shkoi si refugjat në Maqedoni, më pas në Belgjikë dhe më vonë u kthye në Kosovë. Sot ai është një fotograf i mirënjohur dhe punon si në Prishtinë e në Beograd, ku ka shumë miq. Për të pajtimi është një realitet që jetohet përditë. Megjithatë, e kupton zemërimin dhe urrejtjen e atyre që humbën të afërmit gjatë luftës. Familja e tij nuk u prek nga tragjedi të tilla.
Edhe Merlin Nadj-Toma është një prej fotografeve që marrin pjesë në seminarin e GIZ-it. Fotografitë e prera të Jetmir Idrizit e kanë impresionuar së tepërmi.
“Për mua kjo është shumë simbolike. Jetmiri tregon se këto monumente qëndrojnë në Kosovë, por nuk funksionojnë më, e megjithatë aty brenda është shansi që këto copëza të ngjiten sërish”, thotë ajo
Ta tregojmë Kosovën në një tjetër fokus (Foto: Merlin Nadj-Toma)
Fotografja gjermane fillimisht kishte vështirësi të hynte brenda temës së pajtimit në Kosovë, në një vend ku konflikti është ende prezent dhe në disa pjesë ende i pazgjidhur.
“Reagimi i parë ishte që Kosova është absolutisht vendi i gabuar për këtë temë”.
Por, gjatë një jave vizitë në Prishtinë ajo përjetoi momente të bukura.
“Në një ëmbëltore dhe në një farmaci kemi takuar shqiptarë dhe serbë që punonin së bashku. Aty nuk luante rol etnia. Kjo ishte një gjë e bukur. Këtë nuk e kisha përjetuar më parë.”
Nadj Toma ka fotografuar në Prishtinë momente të jetës së përditshme: një shesh futbolli, pallate banimi. Fotografitë e saj i dallon një tis ëndërrimtar: të gjitha janë të mjegulluara.
“Kështu, këto vende marrin një ndriçim tjetër. Për mua ishte e rëndësishme që të tregoja se një ndërrim i vogël i perceptimit mund të ketë efekte të mëdha”.
Të lëmë pas të shkuarën dhe të shohim përpara (Foto: Gotsybayar Rentsendorj)
Jetmir Idrizit i pëlqejnë fotot e koleges.
“Fillimisht kisha një lloj shqetësimi se kolegët do të fotografonin përbri njëri-tjetrit një serb dhe një shqiptar. Por, ata më treguan se pajtimi është më shumë se kaq”.
Në ekspozitën e hapur në Muzeun e Landit në Bon, fotografitë e tij qëndrojnë përbri atyre të Merlin Nadj-Tomasit. Ajo ka lindur në Gjermani, por prindërit e saj janë serbë. Gjatë takimit të dy krijuan një lidhje të veçantë.
“Kemi bërë shaka për njëri-tjetrin dhe përpiqeshim të sfidonim njëri-tjetrin, por në një frymë pozitive”.
Të dy fotografët praktikojnë në një mikrokozmos, atë që duhet të ishte realitet për të gjithë shqiptarët dhe serbët në të ardhmen: të lenë pas të shkuarën dhe të shohin së bashku përpara. /DW/