Thaçi nuk e shet PTK-në pa bekimin e Kuvendit
Qeveria e Kosovës nuk do ta firmosë me AXOS-in kontratën për privatizimin e PTK-së, i tha Kohës Ditore një zëvendëskryeministër i Kosovës. Çështja është diskutuar sot në mbledhjen e Qeverisë, në pjesën ku mediet nuk kanë pasur qasje.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë të jetë përcaktuar për të mos firmosur kontratën, pa marrë bekimin e Kuvendit.
“Sot ka qenë dita e fundit për të nënshkruar kontratën dhe kryeministri ka shprehur vendosmërinë për të mos ecur tutje me procesin, pa vendosur Kuvendi. Tash, të gjithë jemi të vetëdijshëm se PTK-ja do të humbë në çmim”, ka thënë një zëvendëskryeministër, që nuk ka pranuar t’i përmendet emri.
“Përgjegjës do të mbahet opozita për këtë dështim”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.
Këtë fundjavë Qeveria hoqi dorë nga amendamenti i tetë i Ligjit për buxhet, i cili parashihte legalizimin e privatizimit të PTK-së. Heqja e amendamentit u bë vetëm pas paralajmërimit të opozitës se do ta braktisin seancën dhe do ta dërgojnë në kushtetuese Ligjin për Buxhetin nëse nuk hiqet ky amendament.
E, nuk doli e suksesshme as tentativa tjetër e qeverisë që privatizimin ta bëjë përmes mocionit për raportin e Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së dhe krijimin e komisionit hetimor.
Bazuar në dokumentacionin e transaksionit për privatizim të PTK-së, nënshkrimi i kontratës për këtë privatizim duhej të ndodhte më së largu deri më 30 dhjetor.
Qeveria disa herë i ka ndërruar qëndrimet sa i përket ligjshmërisë së procesit të privatizimit të PTK-së. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe ai i Financave, Besim Beqaj, në pjesë e dytë të vitit disa herë kanë thënë se pa miratim të Kuvendit nuk do të procedohet me privatizimin e PTK-së, gjegjësisht nënshkrimin e kontratës me kompaninë Axos. Ndërsa, në të kaluarën Qeveria e Kosovës disa herë gjatë procesit të privatizimit pati deklaruar se ka bazë ligjore për privatizimin e PTK-së, duke u thirr në vendimin e Kuvendit që ishte marr në buxhetin e vitit 2011.
Kontrata do të ishte nënshkruar me kompaninë Axos në muajin korrik, sikur nënshkrimi mos të prolongohej me faj të kompanisë fituese. Po me kërkesën e fituesit procesi është shtyrë edhe një herë tjetër. Ndërsa, shtyrjet e procesit të privatizimit të PTK-së me kërkesë të qeverisë kishin nisur që nga muaji shtator, kur qeveria vendosi të marr edhe miratimin e Kuvendit, ngaqë iu kontestua ligjshmëria.
Ndonëse është kjo situatë, të hyrat nga shitja e PTK-së prej 242 milionë eurove janë përfshirë në kuadër të bilancit bankar. Ato nuk janë paraparë në shpenzimet buxhetore. /Koha/Telegrafi/