Kalo te lënda

Rrezatimi i “Natës së Modës Shqiptare”

“Top Model Fashion”, agjensia e modës që u shfaq këtu e nëntë muaj më parë, teksa nisi jetën e saj me pjesëmarrjen dinjitoze në spektaklin “Ragazza Moda”, në Kalabri të Italisë, ku vajzat e kësaj agjensie u renditën në vendin e tretë në botë, para disa ditësh ka zbritur në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.

Qëllimi i kësaj nate, sipas bashkëorganizatorëve të këtij eventi, Besnik Rama dhe Endrit Hoxhaj, ishte “promovimi i stilistëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit”.

Pjesëmarrësit në “Natën e Modës Shqiptare” vinin nga të gjithë fushat e jetës artistike, duke filluar nga baristi i famshëm shqiptar Armando Likaj, stilistja e mirënjohur shqiptare me banim në Stamboll, Stela Skënderaj, balerini Majlajdo Gala, stilisti nga Kosova, Pajtim Raci, stilistja shqiptare në Itali, Greta Beqiri, modeli Violander Ceka, e mirënjohura Silvana Braçe, Ditjona Kortoci e deri tek personalitetet e ndryshme të modës italiane dhe asaj europiane. Spektakli “Nata e Modës Shqiptare” u moderua me mjaft sukses nga Aurela Hoxha, e cila prej disa vitesh drejton një agjensi mode dhe revistën “100% modë”.

Çmimin e madh, të parin, e mori stilistja Stela Skënderaj, vendin e dytë e zuri stilisti Pajtim Raci dhe të tretin instituti “Burgo”. Ndërkaq, në këtë natë vezulluese të modës shqiptare u ndanë dhurata të shumta për të ftuarit, të cilat ishin përgatitur enkas nga argjendari i Papës së Romës, Michaele Affidato.

Pasi baristi Armando Likaj u prezantua me këngën “Shqipëri o vendi im”, në skenë u ngjit stilistja Stela Skënderaj, e cila prezantoi koleksionin e saj të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

“Unë jam prej 11 vjetësh prezente në fushën e tekstilit”, shprehet Skënderaj në fillim të fjalës së saj. Më tej ajo tregon se “dëshira e prezantimit të punimeve të mia më solli në Tiranë, pasi ato janë të bazuara në artizanatin e kombit tonë”. Sa i përket çmimit të parë, Skënderaj thotë “nuk ishte kryesore çmimi, por kënaqësia e madhe të merrja pjesë në këtë event të mirëorganizuar”, transmeton Express.

Dy kërcime koreografike nga balerini Majlajdo Gala dhe grupi i tij, u nderuan me duartrokitjet e spektatorit, teksa më pas skena rrezatoi me prezantimet e veshjeve verore nga firma e njohur italiane “Aghe Mare”.

auto_moda_799011388394114Pjesa tjetër e Shqipërisë, Kosova jonë e dashur, do të prezantohej nga stilisti Pajtim Raci, i cili premtoi se “vitin e ardhshëm publiku do të njihet me një koleksion surprizë”.

Rrjedha e Valbonës do të sillte në Tiranë, mes larmisë së ngjyrave të penelit, tablot interesante të maturantes Ditjona Sh. Kortoci. Për vajzën nga Tropoja ishte hera e parë që skicat e saj i materializonte përmes një koleksioni në një spektakël të këtij lloji.

“Nata e Modës Shqiptare” do të zbukurohej më tej nga stilistët e ardhshëm shqiptarë të institutit “Burgo”, shkolla “Tekstile”, stilistja shqiptare Greta Beqiri dhe modeli Violander Ceka, të cilët kishin ardhur nga Italia.

Eventin e falenderuan drejtuesit e TMF-së, Besnik Rama dhe Endrit Hoxhaj. Ata shprehën mirënjohjen e tyre për: Henerjeta Aliajn, asistente e projektit, e cila prej vitesh punon në fushën e modës brenda dhe jashtë Shqipërië, Silvana Braçen, si një nga shtyllat kryesore të organizimit, Henerietta Maria, e cila menaxhoi modelet, grupin e fotografëve të “Timeless Event”, për profesionalizmin e tyre, Digitalb, që u mundësoi shqiptarëve kudo nëpër botë të shihnin eventin në fjalë. Më pas falenderimet shkuan për sponsorët e “Natës së Modës Shqiptare”: gazetën “Nacional Albania”, kompaninë e pijeve italiane “Re Drink” dhe pronarin e saj, Sergio Lerro, i cili ishte i pranishëm në sallë, hotel “Ador Resort”, Crabtree & Evelyn London, televizionin italian “We Can Dance” etj.

Lini një koment