Kalo te lënda

‘Qytetarët e vlerësojnë kush është matrapaz’

lsquo-qytetar-euml-t-e-vler-euml-sojn-euml-kush-euml-sht-euml-matrapaz-rsquo_hdNë mbledhjen e fundit për këtë vit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryetari Jakup Krasniqi ka vlerësuar se viti që po lëmë pas, ishte me shumë sfida, suksese, por edhe dështime.

Ndërkohë, opozita e ka quajtur të ulët cilësimin e shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci, ku opozitarët e pati quajtur matrapaz. Ata u shprehën se matrapazët si Adem Grabovci shesin dhe shkelin ligjin.

“Viti që po e lëmë pas ishte një vit me plotë sfida, me suksese, por edhe me dështime. Prandaj viti i ri do të na gjej me obligime më madhore, për një zhvillim më të hovshëm ekonomik, si dhe një përkushtim me të madh të të gjitha institucioneve për ndërtimin e Kosovës evropiane. Viti 2014 është vit i përgjegjësive të mëdha. Kosova duhet të ecë më shpejt në zhvillimet e gjithëmbarshme shoqërore e ekonomike dhe procesit të demokratizimit, luftës kundër krimit, korrupsionit dhe ekstremizmave të ndryshme”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se viti 2013, ishte mjaft sfidues, sidomos sfidë e veçantë ka qenë tentimi i Qeverisë që ta legalizoj një vendim të saj të paligjshme, jashtë procedurave dhe të Kuvendit, siç ishte privatizimi i 75 për qind të aksioneve të PTK-së.

Ai tha se ndjehen mirë që janë pjesë e një rezistence institucionale, për të mos lejuar legalizimin e një procesi të tillë, raporton KosovaPress.

“Unë jam i bindur se opinioni është më meritori të vlerësoj se a janë matrapaz ata që duan ta mbrojnë ligjin, të punojnë me ligjin, të mos lejojnë shkeljen e ligjit në këtë rast, apo janë të tjerët që duan të bëjnë këtë. Neve na vjen keq për përdorim të fjalorit të tillë por qytetarët le ta vlerësojnë këtë, sepse ky është vend i vogël, i dëshirave të mëdha, por mundësive të vogla. Mbi të gjitha është vend i vogël, e njohim gjithsecilin, e njohim veprimtaritë e secilit prej nesh, në këtë rast grupeve parlamentare. Dhe po e them, le të mbetet në ndërgjegjen e tyre që i quajnë deputetët në mënyrën e tillë, tha Beqiri.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ai nuk beson që Grabovci ka menduar ashtu, siç është shprehur, por sipas tij, nëse ka menduar ashtu, atëherë e ka gabim.

“Mendoj që po ju shkasin këto fjalë deputetëve. Nuk është e përgjegjshme të thuhet ashtu. Mendoj që njëri tjetrit t’i themi matrapaz është tepër gabim, e aq me tepër me ardh prej një partie që është në pushtet, me i thënë opozitës. Fajet për krejt çka ka ndodhur, në demokraci e mban shumica. Opozita i këqyr punët e veta. Shumica është ajo që duhet t’i ketë votat, pushteti është ai që duhet të qeveris. Në demokracitë parlamentare, partitë në pushtet e bëjnë krejt atë që duhet. Me vjen keq, nuk besoj se me të vërtetë ka menduar ashtu Grabovci. Nëse ka menduar e ka tepër gabim”, tha Gjini.

Derisa, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri tha se matrapazët janë ata si Adem Grabovci që shesin, e ata që mbrojnë, nuk janë matrapaz. Ai nuk ka dashur të barazoj veprimet e tyre në Kuvend me fjalorin e përdorur nga pozita gjatë këtij viti, duke thënë së janë dy gjëra që nuk mund të barazohen.

“Ndërkohë, që për sa i përket gjuhës së Adem Grabovcit, kjo vetëm tregon për nivelin e ulët që e ka ai, jo vetëm si kryetar i GP të PDK-së por përgjithësisht edhe si njëri. Pra një njeri që mendon dhe flet ashtu, ai tregon edhe mënyrën se si ai e parasheh dhe percepton aktivitetin e vet politik dhe atë çka duhet të ndodh në Kosovë”, tha Ymeri.

Ndërsa, në vlerësimin e saj, shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, që është partnere e koalicionit qeverisës, Myzejene Selmani tha se viti që shkoj ishte mjaft i vështirë, sidomos dialogu me Serbinë, i cili u ka marr shumë energji edhe Qeverisë edhe Kuvendit.

“Gjithë jemi qytetarë të Kosovës pavarësisht a jemi pozitë apo opozitë. Të gjithë jemi së bashku që të ndryshoj gjendja në Kosovë, sepse Kosova ka vetëm pesë vite të shtetformimit dhe kjo çështja e bisedimeve ka marrë shumë energji edhe nga qeveria edhe nga Kuvendi…. Problem esencial mbetet zbatimi i ligjit dhe çështja e zhvillimit ekonomik’, tha deputetja Selmani.

Ndryshe, prej sot deri të hënën e tretë të janarit, siç është e paraparë me rregullore, Kuvendi shkon në pushim.

Lini një koment