Kalo te lënda

“Përleshjet” ekonomike të vitit 2013

prleshjet-ekonomike-t-vitit-2013_aRevista New Yorker, në blogun e saj të biznesit, Currency, ka shkruar për konfliktet verbale në lidhje me çështjet ekonomike që kanë shënuar vitin që po shkon. Në mesin e tyre janë edhe Rupert Murdoch, Papa Françesko dhe Donald Trump

Bill Ackman vs. Herbalife

Investitori nga Wall Streeti, Ackman, përshkroi kompaninë e famshme Herbalife si “skemë piramidale”, pra një biznes mashtrues. Kjo deklaratë ka rezultuar me rënien e aksioneve të Herbalife. Por, shpejt lajmërohen investitorët tjerë që demantojnë Ackmanin, dhe aksionet prapë rriten. Ackman përshkruhet si “fëmijë që qanë” meqë ka thënë se luftën kundër Herbalifet do ta “vazhdojë deri në fund”.

John M. Broder vs. Elon Musk

Gazetari i New York Times, Broder, ka shkruar një artikull të tij për testin katastrofal të vozitjes me veturën Sedan S të kompanisë Tesla, dëshmitar i së cilës ishte vet. Kjo nuk i ka pëlqyer menaxherit të Teslas, Elon Musk, i cili ka akuzuar këtë gazetar se nuk ka përshkruar drejtë se çfarë ka ndodhur, dhe se “ju ka bërë budallenj”. Broder ka mohuar këtë, por zëdhënësja e lexuesve të New York Times në fund ka thënë se gazetari nuk ka “shfrytëzuar gjykimin më të mirë”.

Rupert Murdoch vs. pjesa tjetër e botës

Manjati i mediave këtë vit u përfol për deklaratat e çuditshme në Twitter . Ai njoftoi se “qeveria e re Merkel do ta shpie Gjermaninë e fuqishme në shkatërrim”; është tallur me rënien e Nokas; ka akuzuar BBC-në se “është zëdhënëse e majtistëve të Guardianit”; ka përqeshur ata që janë të varfër e të trashë; e në fund ka ftuar Googlen të “ekspozoj drejtorin Eric Schmidt”!

Jagdish Bhagwati vs. Amartya Sen

Rritja ekonomike në Indi këtë vit pësoi disa probleme, të cilat shihen kryesisht në humbjen e vlerës së rupit. Edhe në Indi ishte një debat se cili është drejtimi i saktë i politikës ekonomike – më shumë privatizim dhe liberalizim, apo e kundërta. Për këtë, përmes revistës Economist janë përlarë ekspertët ekonomikë, Bhagwati dhe Sen, që të dy autorë të librave të njohur për ekonominë indiane. Bhagwati ka akuzuar Senin se nuk ia ndien për rritjen ekonomike, për çka ky i fundit përgjigjet se “fjala është për deformim serioz të pikëpamjeve e tij”. Në fund të debatit përfshihet edhe Pankaj Mishra, përmes New York Review of Books, që thotë se Seni ka të drejtë.

Eric Schneiderman vs. Donald Trump

Prokurori njujorkez, Schneiderman, ka ngritur akuzë kundër Universitetit Trump për mashtrim, për çka biznesmeni i njohur nisi të shajë Schneidermanin si “politikan të kategorisë së lehtë” dhe si “diletant”. Trump tha se ai është marrë vesh madje me Obaman për këtë. Schneiderman heshti për muaj të tërë, duke thënë se nuk dëshiron që përmes akuzave të tërheq vëmendjen nga mashtrimi, por për Vanity Fair ka thënë se Trump sillet si personi që shkon “në kampionatin amerikan të ragbit dhe mendon se lojtarët në ndeshje flasin veç për të”.

Aktivistët homoseksual vs. Lojërave Olimpike në Rusi

Pasi Rusia miratoi një ligj të diskutueshëm që ndalon propagandën homoseksuale, aktivistët amerikanë u kanë bërë thirrje kompanive të mëdha, që janë sponsore të Lojërave Olimpike në Soçi – Coca-Cola, McDonalds, Procter & Gamble dhe Samsung – të bojkotojnë manifestimin sportiv të Putinit. Një nga propozimet drejtuar tek Coca-Cola është që të ndryshojë ambalazhin në ngjyra të ylberit.

Papa Françesko vs. Rush Limbaugh

“Nga goja e Papës dëgjojmë marksizëm të pastër”, ka thënë moderatori i njohur amerikan, Limbaugh, pasi Papa ka folur për kapitalizmin dhe varfërinë në botë. Papa, më vonë, në një intervistë ka thënë se nuk është marksist, por prapë është marrë me situatën aktuale ekonomike: “U tha se gota do të derdhet dhe se nga maja do të bien paratë tek të varfërve. Ajo që ndodhi është se gota po mbushet, dhe asgjë nuk shkon tek të varfrit”. Sipas New Yorker, Papa është fitues i padiskutueshëm në polemikën me amerikanin ultra-djathtist. /Telegrafi/

Lini një koment