Liberalizim vizash as në vitin 2014
Shumë të vogla janë gjasat që qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2014 të lëvizin pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian. Të paktën kështu vlerësojnë analistët, njohës të rrethanave.
Njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, në një intervistë për numrin e gazetës “Koha Ditore”, të dielën, ka shprehur fare pak pritje se ndonjë zhvillim i madh në raportet Kosovë- Bashkim Evropian do të mund të ndodhë në vitin e ardhshëm. Si kryelajm pret përfundimin e negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Muharremi e ka konsideruar si hapin më të madh në procesin integrues hapjen e negociatave për MSA.
Ai ka rikujtuar se procesi i anëtarësimit varet kryesisht nga përmbushja e “detyrave të shtëpisë”, e në anën tjetër ka shprehur pakënaqësinë me ritmin dhe vullnetin për reforma evropiane.
Ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Për bindjen e tij, kosovarët mbeten të izoluar nga shkaku që përfaqësuesit e tyre politikë, jo vetëm që nuk po i përmbushin kushtet që kërkon procesi, por edhe kanë bërë fare pak për përmirësimin e jetës së qytetarëve, në mënyrë që t’u sigurohej ambient sa për të mos marrë rrugën e azilit.
Ai nuk pret që liberalizimi të ndodh as në 2014-n.
“Nëse do të ishim me shumë fat, liberalizimi i vizave do të bëhet në fund të vitit 2014, por gjasat më reale janë në semestrin e parë evropian të 2015-s”, ka theksuar Muharremi