Ahmeti kërkon interpretim për simbolet dhe fotografitë në ndërtesat publike
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i ka dërguar letër Ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht nga MAPL-ja që të bëjë interpretimin ligjor të përdorimit të simboleve shtetërore. Ahmeti ka kërkuar edhe interpretimin juridik për përdorimin e fotografive të figurave politike në ndërtesat publike. Njëkohësisht, ai e ka sugjeruar ministrin që përgjigjet e tij lidhur me çështjet e lartëcekura të dërgohen si shkresë zyrtare tek të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në mënyrë që zbatimi i ligjit të jetë uniform në të gjithë territorin.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të debateve të zhvilluara ditëve të fundit, të cilat janë përcjellë me spekulime, paqartësi por edhe keqinterpretime në lidhje me përdorimin e simboleve shtetërore në Komunën e Prishtinës”, ka shkruar Ahmeti dhe ka sqaruar se që nga pranimi i detyrës, nuk e ka bërë asnjë ndryshim në pozitën e simboleve shtetërore. Sipas tij, aktualisht, në Komunën e Prishtinës, flamuri shtetëror i Kosovës është i vendosur para ndërtesës, në korridorin kryesor të saj (hyrje), në zyrën e kryetarit, dhe në sallën e KK-së.
“Ju lutem që në bazë të Ligjit për simbolet shtetërore dhe në mungesë të Rregullores së veçantë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç e kërkon neni 4.1 i Ligjit për Simbolet Shtetërore, të na qartësoni se në cilat hapësira të tjera jemi të obliguar, që sipas ligjit të vendosim flamurin shtetëror, në mënyrë që ne të ndërmarrim masat e duhura për zbatim të plotë të Ligjit për Simbolet Shtetërore”, ka shkruar Ahmeti.
Për fotografitë, ai ka shkruar se në objektet dhe zyrat e Komunës së Prishtinës kanë gjetur fotografi të personaliteteve të ndryshme politike. Prandaj edhe për këtë Ahmeti ka kërkuar interpretim juridik për përdorimin e fotografive të figurave politike në ndërtesat publike të Komunës së Prishtinës, respektivisht, se cilat fotografi jemi të obliguar sipas ligjit, t’i kemi në hapësirat e brendshme të objekteve të Komunës.