Osmani mbron simbolet shtetërore të Kosovës
Shkelja e kushtetutshmërisë dhe ligjeve të Republikës së Kosovës duhet të trajtohet njëjtë, pavarësisht a bëhet ajo nga komuna e Graçanicës, nga komunat në veri të vendit, apo nga Komuna e Prishtinës. Kështu ka thënë deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, e cila kryeson Komisionin Parlamentar për Integrime në Parlamentin e Kosovës.
“Neni 2.2 i Ligjit për simbole specifikon se “me flamurit, stemën dhe himnin përfaqësohet Republika e Kosovës dhe identiteti i saj shtetëror” dhe neni 4.1 thotë se ‘Flamuri shtetëror vendoset në ambientet e brendshme dhe të jashtme të institucioneve shtetërore…’” , ka shkruar Osmani në Facebook, transmeton Publiku.net.
Më tej Osmani ka shkruar se “Përdorimi i simboleve shtetërore rregullohet edhe përmes Neni 15 të Ligjit për Protokollin e Shtetit. Komunat, qartë, janë institucione shtetërore, dhe zyra e një kryetari të komunës është zyra kryesore përfaqësuese e atij institucioni”.
“Edhe pse komunat kanë të drejtë të kenë simbolet e tyre dalluese, ligji i obligon që ato t’i përdorin krahas simboleve shtetërore. Edhe Kushtetuta parasheh se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës. Pra kushdo që i mohon këto simbole, e mohon Republikën e Kosovës”.
“Është mirë të dihet që Kryetari Isa Mustafa gjithmonë ka mbajtur edhe flamurin kombëtar në zyrë, krahas atij shtetëror. Kështu që kushdo që thotë se e solli flamurin kombëtar tani, nuk e thotë të vërtetën. Me qindra fotografi të botuara nga zyra e kryetarit Mustafa gjatë mandatit të tij e vërtetojnë këtë”, ka shkruar Osmani
“Heqja e simboleve shtetërore, prandaj, është shembull shumë i keq i qeverisjes dhe akt i turpshëm, dhe tregon injorim ndaj shtetit. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të duhej të reagonte ndaj të gjitha rasteve të tilla, pavarësisht a udhëhiqen komunat nga shqiptarët apo nga serbët”, ka shkruar Osmani.