Kush do t’i marrë e kush jo paratë për vuajtje të burgut
Rreth nëntëmijë persona kanë aplikuar për të përfituar nga mjetet që do të jepen për kompensimin e të burgosurve politikë në kohën e ish-Jugosllavisë. Mirëpo, vetëm gjysma e tyre kanë të drejtë t’i marrin mjetet e tyre nga 55 milionë eurot që Qeveria e Kosovës i ka akorduar për këtë kategori, njofton KTV.
Kryetari i Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë, Hydajet Hyseni, ka deklaruar se të burgosurit politikë e kanë mirëpritur këtë vendim, i cili është i vonuar. Hyseni ka sqaruar se kush do të jenë përfitues të këtij kompensimi: ata që kanë qenë të dënuar politikisht më shumë se 60 ditë, raporton KTV.
Një nga përfituesit do të jetë edhe veprimtari Adem Demaçi. Ai për tërë ato vite sa ishte në burg, 28 gjithsej, pritet t’i takojnë 177 mijë euro. E, përfitues, po ashtu do të jetë edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili kishte mbajtur burg 10 vjet e 3 muaj. Por, Krasniqi ka shkruar në Facebook se të gjitha mjetet që i takojnë do t’i dhurojë për të financuar studimin e fëmijëve talente të familjeve të varfra.
Ka edhe ish-të burgosur që nuk kanë dashur t’i merrnin fare paratë që u takojnë. Të tillë janë Ilmi Reçica, deputet i PDK-së, dhe kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.