Ilir Deda e Lulzim Peci i bashkohen LDK-së
Drejtori i KIPRED, Ilir Deda dhe themeluesi i kësaj organizate, njëherësh ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, kanë arritur marrëveshje me Isa Mustafën që t’i bashkohen Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Burime të Express thonë se dje janë mbyllur negocitat dhe tanimë pritet vetëm zyrtarizimi i aderimit të tyre në LDK përmes një konference për media.
“Ilir Deda dhe Lulzim Peci do të jenë “të ardhurit e parë” në LDK nga shoqëria civile, dhe të cilët i bashkohen LDK’së – jo përmes zgjedhjeve të brendshme – por përmes një marrëveshje me Kryetarin e LDK’së”, ka thënë një burim i Gazetës Express.
Sipas tij, Deda dhe Peci i bashkohen LDK’së në një moment vendimtar për këtë parti.
“Humbja e pjesës urbane në Prishtinë në zgjedhjet e fundit, është sinjal që ne duhet të ndryshojmë qasje. Deda dhe Peci janë përfaqësuesit më të mirë të kësaj shtrese”, ka thënë burimi i gazetës.
Këto lëvizje vijnë disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme, e ku Isa Mustafa pret ta shndërrojë LDK’në në partinë e parë.
Por burime të Express thonë se këto prurje nuk po priten mirë nga pjesa konservatore e LDK’së.
“Klani i Hamitëve nuk dëshiron assesi që Deda e Peci t’i bashkohen LDK’së”.
Kalimin e mundshëm në LDK, por pa përjashtuar as Vetëvendosjen, e kishte konfirmuar në një mënyrë edhe vetë Ilir Deda gjatë një interviste dhënë Gazetës Express. Ai kishte thënë se dëshiron t’i bashkohen një partie opozitare me qëllim të rrëzimit të Hashim Thaçit nga pushtetit, të cilin e kishte porteritizuar si kreun e një korporate kriminale.