Tragjike, 7 të vdekur në miniera. 5 të rinj nxirrnin skrap, 2 punëtorë i mbulon kromi
POGRADEC – Ditë tragjike plot vdekje, zie, lotësh që mban kryefjalën miniera, ka qenë kjo e enjte nëntori për zonat juglindore të vendit. 7 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e sotme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit.
Në Pogradec, ngjarja është shënuar orëve të mesnatës në një minierë të braktisur në fshatin Beragozhd, kurse në Librazhd, ngjarja ndodhi sot pasdite kur një masiv kromi në minierën e Gurrës zuri nën vete 2 punonjës.
Pogradec, 5 viktima Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit.
Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 25 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët.
Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë.
Policia dhe shtabi i emergjencave ka mbërritur në vendngjarje, ndërsa pritet mbërritja e grupit të kërkim-shpëtimit për nxjerrjen e viktimave të tjerë.
Deri tani është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjec.
Nxjerrja e trupave është bërë e vështirë jo për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash. Në minierën e Pogradecit pritet të nxirren nga galeria trupat e 3 të rinjve, por vështirësi janë hasur për shkak të nivelit të lartë të gazit karbonik që ka për momentin. Operacioni i kërkimit do të fillojë ditën e nesërme.
Policia Paraditen e sotme, Policia e Korçës zbardhi pjesërisht ngjarjen e tragjike. “Ditën e djeshme, në minierën e Beragozhdit komuna Dardhas Pogradec, janë futur në galeri për të marrë hekura (Skrap) shtetasit: E.Hamolli, N.Hamolli, L. Hamolli (vellezer) dhe dy djemte e xhaxhait A.Hamolli dhe S. Hamolli (mosha e tyre eshte nga 23-28 vjeë. Ka mbërritur dhe grupi i shpëtimit të minierave, po punohet për nxjerrjen e trupave të pa jetë”.
Ngjarja e përsëritur Nxjerrja e hekurit për skrap, e mbetur si e vetmja alternativë për të siguruar jetesën, për pak sa nuk i ka kushtuar jetën më 28 tetor, një 24-vjeçari nga fshati i Beragozhdës ne Pogradec.
Ardian Hamolli mbeti i bllokuar për afro 12 orë në minierën e Beragozhdës për shkak të rrëshqitjeve të gurëve në zonën ku ai gërmonte. Moskthimi i tij në shtëpi ka alarmuar familjarët të cilët lajmëruan policinë. Kjo e fundit së bashku me forcat e kërkim-shpëtimit nisën operacionin për nxjerrjen e të riut, i cili ka mundur të dalë vetë nga miniera.
Reagon Ministria Ministria e Energjitikës dhe Industrisë ka reaguar mbi ngjarjen e rëndë në Dardhas, ose i njohur ndryshe si fshati Beragozhd i Pogradecit ku 5 të rinj humbën jetën në një minierë duke kërkuar skrap. Në një njoftim për shtyp nga ky dikaster bëhet e ditur se miniera rezulton pa aktivitet dhe e mbyllur prej 20 vitesh.
Komuna Dardhas shpall 2 ditë zie Në shenjë nderimi për vdekjen e 5 të rinjve, Komuna Dardhas shpall dy ditë zie. Sot dhe nesër komuna do të mbajë zi për vdekjen e 5 djemve nga i njëjti fis që humbën jetën nga asfiksia në Beragozhd, brenda një miniere.
Komuna Dardhas: Të mbyllen minierat Komunas Dardhas ka marrë përsipër shpenzimet për varrimin e të rinjve, trupat e të cilëve janë nxjerrë nga miniera. Ndërkaq kjo komunë ka bërë thirrje që të mbyllen minierat e nxjerra jashtë aktivitetit zyrtarisht. ‘Mbyllni minierat përndryshe tragjeditë do të përsëriten”.
LIBRAZHD-TJETËR AKSIDENT NË MINIERË, 2 PUNËTORË I MBULON NJË MASIV KROMI LIBRAZHD-Ora 14:20-Pas lajmit të kobshëm se 5 të rinj kanë mbetur të vdekur në një minierë të braktisur në Pogradec, një tjetër aksident shënohet në një tjetër minierë në Librazhd.
Dy punëtorë të minierës së kromit në fshatin Gurrë janë zënë përposht nga një masiv mineral kromi duke gjetur vdekjen. “News 24” mëson se bëhet fjalë për inxhinier Drini Bogdani dhe punëtori Haxhi Danga. Kryetari i Komunës në Qukës konfirmon se kanë vdekur të dy punonjësit e minierës, Drini Bogdani dhe Haxhi Danga, banor i një fshati të komunës së Qukësit.
Rreth orës 15:40 janë nxjerrë nga miniera e Gurrës dy trupat e viktimave që humbën jetën mëngjesin e sotëm. Aksioni për nxjerrjen e trupave u krye nga policia dhe zjarrëfikësja.
(a.k/d.b/BalkanWeb)