Tiranë, protestë kundër sjelljes së armëve të Sirisë (Video)
Qindra qytetarë, ambientalistë dhe gazetarë protestuan para Kryeministrisë në Tiranë kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri. Me pankarta ku shkruhej “Kryeministër mos na helmo!”’ apo “Shqipëria, destinacion i resurseve turistike, jo i lëndëve e armëve kimike”, qytetarët i kërkuan qeverisë dhe politikanëve t’i thonë jo çdo marrëveshjeje të mundshme për demontimin e armëve kimike në Shqipëri.
“Të bëjnë kujdes në atë që duhet ardhja e armëve kimike. Ne si qytetarë shqiptarë do i themi: Ose shporru ti armë kimike, ose shporru ti deputet apo politikan që kërkon të importosh këto armë!”, tha ambientalisti Sazan Guri, raporton Top Channel.
“Ne kemi mundësinë të vëmë logjikën në punë dhe një nga pyetjet me elementare është: Përse armët kimike duhet të asgjësohen në Shqipëri?”, tha Mustafa Nano.
Nga Kryeministria protestuesit vijuan me një marshim në bulevard e më pas ndaluan para selisë së Kryesisë së Kuvendit. Ata thonë se do t’i drejtojnë një kërkesë deputetëve të Parlamentit për të kërkuar interpelancë me kryeministrin lidhur me qëndrimin e Qeverisë mbi këtë çështje.
Protestuesit kërkuan sensibilizimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë për t’i thënë jo bashkërisht ardhjes së armëve kimike siriane, ndërsa paralajmëruan një tjetër protestë ditën e shtunë.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini ka reaguar të enjten lidhur me mundësinë e demontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri.
Duke e konsideruar me të drejtë Elbasanin qytetin më të ndotur në vend, Sejdini tha se transportimi i armeve kimike në uzinën e Mjekësit do të përbënte një katastrofë për këtë vend. Deklaratat, Sejdini i beri gjate një mbledhje në Prefekturë, ku ai i kërkoi prefektit Arben Kamami të ngrejë zërin për të mos e lejuar një gjë të tillë.
“Ne nuk kemi ende dijeni nëse këto armë do të shkatërrohen në territorin e Elbasanit në Uzinën e Mjekësit. Ju si prefekt të ngrini zërin tuaj dhe të bëheni pengesë për këtë çështje”, tha Sejdini.