Kalo te lënda

“Inteligjenca”: Fuad Ramiqi agjent serb, dyshohet si vrasës i Ahmet Krasniqit

75574PRISHTINE-Ushtarak i suksesshëm dhe agjent i Kundër-zbulimit serb (KOS), por politikan deri tani i dështuar”. Kështu e përshkruan Inteligjenca kosovare Fuad Ramiqin, një person kontrovers, ish-zyrtar i së paku dy partive, kandidat i pavarur dhe tani lobues i vijës ekstreme të të drejtave të myslimanëve në Kosovë si dhe fytyra e partisë së dytë islamike në vend, partisë LISBA.

“Besohet se Fuad Ramiqi është rekrutuar nga KOS-i qysh në fillim të viteve të ’90. Personeli që i ka mundësuar veprimtarinë ushtarake Ramiqit nga KOS ishin: Zdravko Tolimir, Dragan Stojmenovic (Mlekce) dhe Simon Tomanov, zëvendës i eprorit të KOS-it, Aleksadër Vasiljeviq”, thuhet në disa dokumente analitike për figurën e Ramiqit, të cilat i ka siguruar gazeta “Express”.

“Besohet që edhe sot Ramiqi vazhdon të jetë i lidhur me strukturat ushtarake të Serbisë që trashëguan KOS-in, si VBA apo VOA. Por tani e vazhdon aktivitetin për këtë organizëm si mbrojtës i vlerave të islamit”. Në këto dokumente analitike inteligjenca kosovare si fakte për këtë lidhje të tij përmend ngritjen e tij në karrierë. Veç kësaj, në raportin e Inteligjencës kosovare hidhen dyshime edhe mbi vrasjen e kolonelit Ahmet Krasniqi. Inteligjenca pretendon që ka në dorë faktet që ai u betua në FARK dhe para ministrit të Mbrojtjes Bukoshit, Ahmet Krasniqit, vetëm një ditë para atentatit kundër këtij të fundit. Çuditërisht, sipas Inteligjencës, ai ditën e dytë të tij si ushtar i FARK-ut, ditën kur u vra Krasniqi, nuk u duk askund, derisa më vonë ai do të bëhej këshilltar i zëvendësit të Krasniqit, Halil Bicaj. “Asnjëherë nuk u kuptua se ku ka qenë Fuad Ramiqi ditën kur u vra Ahmet Krasniqi”, thuhet në dokument. Kolonel Ahmet Krasniqi u vra në mes të Tiranës, diku në zonën e ish-shtëpisë së Partisë, në 21 shtator të vitit 1998.

(d.b/BalkanWeb)

REAGIM I FUAD RAMIQI

largea_largea_fuad-ramiqi13729687341383820798

Ramiqi: S’jam agjent i Serbisë, do ta padis median

Një shkrim i publikuar në njërën prej gazetave elektronike në vend, me titull: “Fuad Ramiqi, i dërguari i shërbimeve serbe që shtynë agjenda islamike në Kosovë”, ka ngjallur reagime të mëdha në shoqërinë kosovare. Një shkrim i tillë, i publikuar fillimisht në një media, e pastaj i huazuar edhe në shumë të tjera, e rrjete sociale, për vetë protagonistin e shkrimit, është një shpifje e madhe dhe sulm ndaj Islamit. Fuad Ramiqi, për gjithë atë që është shkruar kundër tij, kinse bazuar në një dosje të AKI-së, do të ngritë padi ndaj medias, sot ose nesër më së largu.

Ramiqi në një bisedë shprehet i bindur dhe që është i pastër në personalitetin e tij. “Kjo është një shpifje edhe cenim i integritetit tim personal, që nuk është hera e parë që bëhet nga gazeta ‘Express’ dhe qarqe të ndryshme që në agjendën e vet e kanë ekskluzivisht luftimin e islamit dhe tendencat që ata t’a paraqesin një situatë më ndryshe duke ju shmangur problemeve serioze që i ka Kosova, qoftë në cenimin e integritetit dhe sovranitetit të saj, gjendjes ekonomike etj”, ka thënë Ramiqi për Indeksonline. Ai shprehet i mllefosur me etiketimin që i është bërë atij në këtë gazetë e që thuhet që ai është pjesë e shërbimeve sekrete serbe.

“Gjithçka çka aty është e shkrume, gjithçka, ama bash gjithçka është vetëm një shpifje, dhe çka është më e keqja është një degradim i institucioneve, sepse ata thirren kishe në analizat e Agjencisë, por gjithsesi kjo do të përfundojë në Gjykatë”, u shpreh Ramiqi.

Sipas tij, kjo është hera e parë që ai do të marrë hapa konkret që gjykata do t’i sqarojë njëherë e përgjithmonë.

Kreu i LISBA-së, paralajmëron se gjitha akuzat e bëra ndaj tij, do të ‘shpërblehen’ me padi ndaj gazetës në fjalë.

“Është një gjë që nuk bënë të tejkalohet, sepse dihet ndikimi i gazetës sidomos përmbajtët e tyre me tendenca kinse ekskluzive, dhe mënyrën se si ata veprojnë, d.m.th është një gjë që e dëmton shoqërinë kosovare në përgjithësi edhe ecurinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”, tha Ramiqi. Kurse në burimet që është thirrur gazeta, Ramiqi ka këtë përgjigje.

“Ata ishin thirrur kinse në analizat e ‘Inteligjencës Kosovare’, po këto duhet t’i shpjegojnë ata në gjykatë”, ka thënë ai, duke shtuar se, gjithçka që është shkruar në atë artikull “ekskluziv” është shpifje. “Çka është më e rënda, në këtë shkrim ata e hapin një situatë ku lejohet gjahu kundër meje nga qarqe ose persona të pa njohur sepse kjo ndodhë zakonisht kur përgatitet klima nga shërbime të caktuara për t’u likfiduar ndonjë njeri sikurse ka ndodhur në të kaluarën ose për tu penguar aktivitet e tij”, ka përfunduar Ramiqi.

Lini një koment