Ferizaj: LDK dhe AAK – koalicionpër garën e balotazhit
Degët e LDK-së dhe të AAK-së në Ferizaj kanë arritur një marrëveshje koalicioni për garën e balotazhit që do të zhvillohet më 1 dhjetor.
Në aktin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kandidati i LDK-së, për kryetar të Ferizajt, Muharrem Svarqa, në cilësinë edhe të kryetarit të degës së LDK-së, ka thënë se njerëzit e AAK-së kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e ndryshimeve në të mirë të qytetarëve të Ferizajt. Svarqa ka shtuar se nga kjo marrëveshje fitues do të jetë qytetari i Ferizajt, e kjo, sipas tij, nuk do të thotë se do të ndalen vetëm në këtë marrëveshje, për shkak se kjo që po ndodh këtu i hapë rrugë edhe bllokut të përgjithshëm opozitarë të komunës së Ferizajt, që të bashkëngjiten në kuadër të këtij koalicioni për Ferizajn.
“Kontributin më të madh e kanë elektorati i dy partive tona dhe ne me këtë akt të nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve vetëm po reflektojmë në bazë të vullnetit dhe dëshirës të zgjedhësve tanë për çka unë u jam mirënjohës. Shpresoj që kjo do të jetë një ditë e shënuar për komunën e Ferizajt, për ardhmërinë e qytetit tonë dhe për ndryshimet, duke filluar një histori e re që do të ndodhë me 1 dhjetor”, ka theksuar Svarqa.
Këtë marrëveshje e ka vlerësuar edhe kryetari i degës së AAK-së, Naim Ferati, i cili theksoi se kjo marrëveshje kupton rrugëtimin e përbashkët i cili do të kurorëzohet më 1 dhjetor në garën e balotazhit për kryetar komune, duke besuar se kjo marrëveshje parimore e arritur mes dy subjekteve politike është në të mirë të qytetarëve të Ferizajt.
“Është një kërkesë e elektoratit që ne të rrugëtojmë bashkë për të mirën e qytetit dhe besoj se ky koalicion i cili po ndodh sot nënkupton edhe rrugëtimin e përbashkët edhe për katër vjetet e ardhshme në qeverisjen lokale, ku kryetari i kësaj komune do të jetë zoti Muharrem Svarqa. Potenciali i ynë që kemi do të jetë në të mirë të qytetarëve të komunës së Ferizajt, besoj se ky koalicion do të jetë koalicioni për ndryshime”, ka thënë Ferati.
Kandidati i LDK-së, për kryetar të Ferizajt, Muharrem Svarqa, nuk i ka bërë të ditur kushtet e marrëveshjes duke thënë se kjo do të bëhet pas zgjedhjeve.
“Në të mirë të realizimit të këtij koalicioni, kemi paraparë ndarjen e një funksioni politik dhe disa funksione ekzekutive në qeverisjen komunale, por që kanë mbet të specifikohen pas fitores për shkak të ruajtjes së frymës së fitores”, ka thënë Svarqa
Bëhet e ditur se këto dy subjekte fushatën për balotazh do ta bëjnë së bashku me qëllim që frymën e fitores ta bartin te anëtarësia, duke i bashkuar strukturat dhe shtabet zgjedhore.
Ndryshe në ruandin e parë, kandidati i PDK-së Agim Aliu, për kryetar të Ferizajt, ka marr rreth 40% të votave të qytetarëve, përkundër kandidatit të LDK-së Muharrem Svarqa që ka marr 34% të votave të qytetarëve. /rtv21/