Dihen vrasësit e figurave politike
Në Burgun e Dubravës, me datën 1 nëntor, është sulmuar fizikisht Shkumbin Mehmeti, dëshmitar i mbrojtur, i cili është i dënuar me 30 vjet burgim.
Ai është sulmuar nga dy të burgosur të tjerë, Besnik Hasanaj dhe Shpend Qerimi, ish pjesëtar të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të dënuar për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, ku kishin vdekur dy persona dhe për vrasjen e tre të tjerëve në Ferizaj.
Shkumbini thotë se, sulmi brenda burgut ka qenë i porositur nga krimi politik, dhe ka dyshime se mund të jetë nga një deputet i Kuvendit të Kosovës, por për shkak të hetimeve nuk dëshiron t’ia përmend emrin.
Në një letër të Shkumbinit të cilën e ka siguruar Indeksonline nga të afermit e tij, Shkumbini tani ka hyrë në grevë urie dhe thotë se, nuk e ndërprenë atë deri të hiqet ndëshkimi që i është dhënë nga Drejtoria e Burgut.
Ndër të tjera ai thotë se, kryerësit e vrasjës së dy policëve janë edhe kryerësit e disa vrasjeve tjera të figurave të rëndësishme politike në Kosovë.
“Jam i dëshpëruar nga EULEX-i, pse, duke pasur parasysh situatën, nuk po vepron më energjikisht”, thotë Shkumbini në letren e tij.
Më poshtë mund t’a gjeni të bashkangjitur letren e tij të plotë:
Unë, Shkumbin Mehmeti
Deklaroj Se me daten: 29.10.2013, jam sulmuar nga Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi. Ka shenja të qarta, se sulmi ka qenë i porositur nga krimi politik, dhe, ka dyshime, se mund të jetë nga një deputet i Kuvendit të Kosovës. Çuditërisht edhe pse unë jam i sulmuar, Drejtoria e Burgut, me qëllim që të më frikësoj, (me qëllim që të tërhiqem nga dëshmia) më ndëshkon mua me 8 ditë vetmi, ku më pas e ulë në 5 ditë, me arsyen se unë është dashur të qëndrojë gaditur kur jam sulmuar.
Pikërisht për këtë ndëshkim të padrejtë, kam hyrë në grevë urie prej datës 01.11.2013. Dhe, nuk e ndërpres grevën deri të hiqet ndëshkimi që më është dhënë, edhe pse, de fakto, e kam vuajtur këtë ndëshkim. Drejtoria e Burgut, me çdo metodë është duke më bërë presion, që të tërhiqem nga bashkëpunimi me EULEX-in. EULEX-i,po tregohet i pafuqishëm për të garantuar sigurinë time. Kjo u pa qartë me rastin e parë kur m’u rrezikua jeta, ata nuk patën forcë që të forcojnë sigurinë time.
Unë zyrtarisht jam dëshmitar nga gushti i vitit 2012, në rastin për të cilin jam dënuar, ku kanë mbetur të vrarë dy policë, njëri vendor e tjetri ndërkombëtar dhe është plagosur një përkthyes. Ky rast ka ndodhur më 23.03.2004, dhe unë kam dhënë dëshmi se kam qenë pjesë e grupit, i cili e ka kryer vrasjen. Por, nuk jam vrasësi. Dhe ende asnjë hap nuk e ka ndërmarrë EULEX-i për ndriçimin e kësaj vrasjeje. Kryerësit e kësaj vrasjeje, janë edhe kryerësit e disa vrasjeve tjera të figurave të rëndësishme politike në Kosovë. Dhe jam i dëshpëruar nga EULEX-i, pse,duke pasur parasysh situatën, nuk po vepron më energjikisht.
Ndërkaq, unë kam mbetur pa asnjë mbrojtje ndërkombëtare, që në rastin tim, është masë e domosdoshme, e cila eshte e parapare edhe ne baze te ligjit per mbrojtjen e deshmitareve, neni 32, pika 4 dhe 5. Për sigurinë time, janë përgjegjës disa drejtorë të emëruar në baza partiake. Unë, disa herë kam kërkuar që për sigurinë time të kujdeset EULEX-i, por, kjo është refuzuar me arsyen se EULEX-i, nuk ka kompetenca brenda burgut. Sulmi që më ndodhi mua, ishte një porosi e qartë se duhet të tërhiqem nga dëshmia. Shenja tjetër se institucionet vendore, këtë sulëm po mundohen ta mbajnë të izoluar, kinse ka qenë një incident në mes meje dhe sulmuesve.
Këto gjëra janë duke ma vështirësuar gjendjen, me të vetmin qëllim që të tërhiqem nga dëshmia ime, dhe ta vuajë dënimin për një krim, që nuk e kam kryer.