Kush është fitues, kush është humbës i zgjedhjeve?!
Rezultatin e zgjedhjeve të së dielës secila nga partitë politike po e cilëson si sukses, pavarësisht se disa prej partive i kanë humbur komunat e cilësuara si bastione. Analistët vlerësojnë se nuk mund të festohet ndonjë “triumf” i madh i asnjërës nga partitë politike.
Mazllum Baraliu mendon se lëvizjet që kanë ndodhur në këto zgjedhje në këto zgjedhje, nuk janë lëvizje të cilat kanë sjellë ndryshime të mëdha. Sipas tij, po të krahasohen zgjedhjet lokale të vitit 2009 me zgjedhjet e së dielës, lëvizjet janë të vogla.
“Nuk duhet të inkurajohet asnjë subjekt politik se e ka fituar garën. Nuk ka shumë arsye për festim, as për dëlir të partive politike. Partitë politike duhet të mendojnë që të riorganizohen, veçanërisht katër subjektet kryesore politike, që në zgjedhjet nacionale ta mobilizojnë elektoratin e tyre dhe të kenë prurje të reja brenda partive”, tha ai për Telegrafin.
Ish kryeshefi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mendon që askush nuk duhet të trajtohet si humbës ose si fitues i madh. Ndryshimet të cilat kanë ndodhur nëpër komuna tregojnë se partive të mëdha disa komuna i kanë dal prej dore, mirëpo ende asgjë nuk është definitive.
Vërehet një rritje e lehtë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), mirëpo nuk duhet lënë anash faktin se në këto zgjedhje kanë hyrë rreth 100 mijë votues të rinj.
Astrit Gashi ka theksuar për Telegrafin se kryetari i Gjakovës, njëherësh kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj dhe kryetari i Gjilanit, njëherësh kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për kryetar të Gjilanit, Qemajl Mustafa, janë humbësit më të mëdhenj të zgjedhjeve.
“Në krahasim me zgjedhjet e kaluara lokale, të parit i ka rënë numri i votave për 6 mijë sosh, ndërsa i dyti ka marrë rreth 3 mijë vota më pak. Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxherri dhe Shpend Ahmeti, janë fituesit e vërtetë. Që të tretë e kanë shtuar numrin e votave në mase të madhe”, ka thënë Gashi.
Selatin Kllokoqi nga Instituti D4D, ka theksuar se në përgjithësi rezultatet e dala nga zgjedhjet e 3 nëntorit kanë qenë të pritshme, bazuar në analizat që i kanë bërë në Institutin D4D.
“Nuk ka ndonjë befasi, përveç se nuk kemi pritur një dallim aq të madh të votave në Gjilan dhe në Prizren, mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)”, tha ai.
“Sa i përket komunave, duhet ta presim raundin e dytë dhe në fund ta shohim se cila parti është fituese e cila humbëse. Me rëndësi është të shikohet numri i votave për kuvendet komunale, që do të jetë një barometër i mirë për reflektimin e partive politike para zgjedhjeve nacionale”, ka thënë Kllokoqi. /Telegrafi/