Kalo te lënda

Kumbari i Marko Jakshiq vendosi bombë

fotoDyshohet që Dragisha Iliç, kumbari i deputetit të DSS (partia radikale e Vojislav Koshtunicës), është i dyshuari kryesorë për vendosjen e bombës përpara shkollës së mesme teknike në pjesën veriore të Mitrovicës, vetëm pak pas shkatërrimit të vendvotimit nga huliganë serb.

Policia e Kosovës, ka gjetur bombën akoma të pashpërthyer dhe e ka siguruar vendin e ngjarjes.

“Dragisha Iliç thuhet se e ka vendosur bombën në oborin e shkollës. Kjo ka qenë vetëm një nga aksionet që i kanë ndërmarrë radikalët e DSS për ti penguar dhe frikësuar popullatën që të dalin në zgjedhje”, thonë politikanë nga pjesa veriore.

Por ajo që mbetet si fakt evident, është se parti politike opozitare të Serbisë, të përkrahur edhe nga strukturat paralele, si i ashtuquajturi këshilli nacional serb, në krye të së cilit gjendet Nebojsha Joviç ashtu edhe ish komandanti i xhandarmerisë serbe, Bratislav Dikiç, janë përgjegjësit kryesorë për dështimin e procesin zgjedhor në pjesën veriore të Mitrovicës.

Krstimir Pantiç, kandidat për kryetar të komunës së Mitrovicës nga lista serbe, thotë se është në dijeni se njëri nga të dyshuarit mund të jetë Iliç.

“Iliç ka qenë te shkolla. Unë e kam parë atë kur kam shkuar ti inkurajoj njerëzit që të dalin dhe votojnë. Në atë moment ai më ka gjuajtur fjalë, më ka ofenduar dhe më tha, ti më nuk je serb, shko në xhami”, tha Pantiç.

Mirëpo, kush janë ideatorët dhe përkrahësit e dhunës së ushtruar?

Nebojsha Joviç, një nga figurat më kontraverse dhe më të fuqishme në pjesën veriore, e që njihet edhe si njëri ndër kapot e krimit në veri, kujdestaronte tek shkolla teknike që nga mëngjesi i ditës së dielë. Ai i afrohej secilit qytetar që dëshironte të hyjë në shkollën teknike për të votuar, dhe e pengonte në ushtrimin e të drejtës demokratike.

I përkrahur nga dhjetëra huliganë serb, kishin vendosur një lap top në hyrje të shkollës, me kamerë e cila incizonte secilin që hynte e dilte nga shkolla.

Atyre pak më vonë u erdhën në ndihmë edhe pjesëtarë të xhandarmerisë serbe.

Vetë ish komandanti i këtij grupacioni famëkeq, tani zëvendës drejtor i policisë serbe, Bratislav Dikiç, i njohur edhe si Bata, ka shkruar në faqen e tij në Facebook. “Popull serb, vëllezër dhe motra, më thirrni emrin, dhe nëse mendoni që jam fajtor, atëherë jam i gatshëm që të bëhem sakrificë për popullin tim, por nuk lejoj që shqiptari (shiptar) të jetë pronar në shtëpinë serbe. Ti bojkotojmë zgjedhjet”, ka shkruar ai në profilin e tij.

Sidoqoftë, një gjë është e qartë. Pjesëmarrja e votuesëve serb në pjesën veriore të Mitrovicës ishe shumë më e vogël se sa e shqiptarëve. Kjo gjë i bëri autoritetet e Beogradit të frikësohen, dhe me ndihmën e radikalëve të pjesës veriore, e ndërprenë dhe shkatërruan procesin zgjedhor, i cili e njollosi në masë të madhe ditën e 3 nëntorit, duke u klasiofikuar sërisht si e vetmja pjesë që gjendet jashta kontrollit të instritucioneve të Kosovës. /Indeksonline/

 

Lini një koment