Kalo te lënda

Vazhdojnë telashet e udhëtarëve nga “Belle Air”

f3_12belle-jpg1376334153Prishtinë, 12 gusht – Kompania e fluturimeve “Belle Air”, vazhdon t’u shkaktojë telashe, udhëtarëve të saj. Edhe sot shumë prej udhëtarëve është dashur të kthehen prapa, pasi që nuk kanë arritur të fluturojnë me këtë kompani. Dëmet për ta mund të jenë të shumta. Rreziku për humbjen e vendit të punës dhe shpenzimet shtesë që u dalin deri në fluturimin e radhës. KTV-ja ka provuar të marrë një përgjigje nga përfaqësuesit e kësaj kompanie në Kosovë, mirëpo askush nuk ka pranuar të flasë, duke thënë se janë vetëm punëtorë dhe se nuk e përfaqësojnë kompaninë. Por, ata jashtë kamerës kanë thënë se krejt problemi ka lindur nga kompani të tjera që kanë lëshuar bileta false në emër të “Belle Air”, prandaj, sipas tyre, është e pamundshme gjetja e zgjidhjeve për krejt këta udhëtarë. Drejtori i Departamentit për Aviacion Civil në Ministrinë e Infrastrukturës, Ismajl Berisha, ka thënë se janë duke pritur përgjigje nga kompania “Belle Air” dhe institucione të tjera rreth këtij rasti. Ai ka thënë se nëse kompania nuk bën zgjidhje, atëherë ata do t’i drejtohen edhe Komisionit Evropian për aviacion civil. Ndërkohë, zyrtarë të Ministrisë së Diasporës kanë thënë se atyre u ka ardhur një numër i madh i ankesave të bashkatdhetarëve, pikërisht me problemet rreth fluturimeve që ata kanë me kompani të ndryshme. Por krejt çka kjo ministri mund të bëjë në këtë drejtim është adresimi i shqetësimit deri në instancat më të larta si vendëse, ashtu edhe ndërkombëtare. Mirëpo, jo vetëm kompania “Belle Air” u ka sjellë udhëtarëve këso problemesh. Pos, disa kompanive të tjera që kanë pasur probleme të tilla, kompania gjermane “Airwings” ditë më parë ka anuluar të gjitha fluturimet duke shkuar në falimentim.

Lini një koment