“Nëse Vetëvendosje do ndryshim, duhet ta mbështesë LDK-në”
‘
Dallimi në qeverisje në mes të nivel qendror nga PDK dhe të Prishtinës nga LDK është si nata me ditë’, kështu ka shkruar nënkryetari i komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti.
Ai këtë deklaratë e kanë dhënë si kundërpërgjigje Vetëvendosjes, e cila kishte deklaruar se qeverisja e Prishtinës, nuk dallon nga ajo qendrore.
“E lexova deklarimin e lëvizjes ‘Vetëvendosje’ se qeverisja e Prishtinës nuk dallon shumë nga ajo e nivelit qendror. Unë ju them atyre se ky dallim është si nata me ditë, por VV nuk mund ta vërejë pasi është e përkushtuar vetëm në sharje dhe kritika të pa argumentuara. Besimi i qytetarit nuk fitohet kështu, por përmes ofrimit të alternativave më të mira”, ka shkruar Hoti në një publikim në ‘Facebook’.
Ai tha se nëse VV dëshiron ndryshim, atëherë duhet të mbështesë LDK-në.
“Ka edhe shumë raste të tjera që e bëjnë të qartë këtë dallim, të cilat do i përmend një herë tjetër.
Mendoj se VV-së i duhet kohë për të maturuar në politikë. E keqja këtij vendi i vjen nga qeverisja e PDK-së dhe nëse VV dëshiron të bëjë ndryshimin, duhet të mbështesë LDK-në si parti kryesore opozitare. LDK do të jetë fituese në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në shumë komuna, prandaj VV mund të bëhet pjesë e këtij ndryshimi vetëm duke mbështetur LDK-në”, ka shtuar ai.
Hoti në fund ka thënë se e fton Vetëvendosjen për bashkëpunim, për të larguar qeverinë aktuale, qeverinë e korruptuar, siç e quan ai.
“Unë e ftoj VV për bashkëpunim për të bërë ndryshimin në Kosovë në zgjedhje lokale dhe pastaj në zgjedhje parlamentare për të larguar këtë qeverisje të korruptuar. Nëse VV dëshiron të konfrontohet me LDK-në, atëherë e siguroi se do të jetë humbëse dhe do t’i bëjë shërbim vetëm PDK-së”, ka shkruar Hoti./Koha/Indeksonline/