Tetë arsye pse duhet ta njohim Kosovën!
Një medium elektronik nga Beogradi “Taçno” (Saktë) ka botuar një studim ku ka paraqitur tetë arsye se pse Beogradi duhet të ndryshojë kursin karshi Kosovës dhe duhet të njohë pavarësinë e saj.
Arsyeja e parë: Për shkak se Kosova praktikisht prej kohe të gjatë tashmë është e ndarë nga Serbia.
Serbia që 13 vite, nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës me NATO-në ka humbur kontrollin faktik mbi Kosovën. Serbia aktualisht nuk ka asnjë kontroll mbi Kosovën dhe Kosova gjatë 13 vite ka institucionet e saj si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror dhe këto institucione kanë zbatuar politika dhe Ligje krejtësisht të ndryshme nga ato të Serbisë.
Arsyeja e dytë: Mosmenaxhimi i duhur i Kosovës nga ana e Serbisë gjatë kohës që e ka pasur nën kontroll.
Serbia që nga lufta e parë ballkanike e vitit 1912 deri në vitin 1999 ka pasur strukturat e saj në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe ka dështuar që të vendos autoritet mbi popullatën. Forma e funksionimit të Kosovës gjatë asaj periudhe ka qenë kryesisht aparteide. Popullata shumicë shqiptare ka refuzuar aktivisht bashkëpunimin me strukturat dhe organet e Serbisë.
Arsyeja e trete: Pranimi i Kosovës është në interes të vetë Serbisë.
Serbia ka problem në ushtrimin e kontrollit ndaj territorit ekzistues të saj, sidomos në pjesën jugore dhe lere pastaj që të synojë shtrirjen e këtij kontrolli edhe ndaj Kosovës. Pretendimet për te shtrirë kontrollin ndaj Kosovës do ta varfërojnë Serbinë dhe do ta izolojnë atë nga Evropa.
Arsyeja e katërt: Për shkak të rrethanave të sigurisë.
Serbia ka probleme të brendshme me krimin e organizuar, korrupsionin dhe grupet e organizuara kundër shtetit. Gjendja do të ishte trefish me e rëndë dhe me e keqe nëse edhe Kosova do të ishte brenda saj.
Arsyeja e pestë: Për shkak se popullata e zakonshme e kanë pranuar humbjen e Kosovës.
Në të gjitha hulumtimet e opinionit në Serbia pas vitit 2000 ka dalë rezultati se pjesa me e madhe e qytetarëve të zakonshëm e ndjejnë dhe e pranojnë se Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë me pjesë e Serbisë, transmeton Gazeta “Illyria”.
Arsyeja e gjashtë: Për shkak të serbëve në Kosovë.
Të gjitha qeveritë në Beograd e konsiderojnë prioritet mbrojtjen e serbeve të Kosovës. Nëse Serbia nuk mundet ta kthejë kontrollin në Kosovë, atëherë duhet ta njohë atë me qellim që serbët e Kosovës të mos shantazhohen, kërcënohen, dhe trajtohen si rrezik për shqiptarët.
Arsyeja e shtatë: Për shkak se Serbia moralisht nuk ka të drejtë të flas për Kosovën.
Përjetimet dhe vuajtjet e shkaktuara në Kosovë gjatë periudhës sa ka qeverisur me Kosovën Serbia kanë qenë të mëdha për shqiptarët, veçmas gjatë kohës 1989 -1999. Kjo kohë ka kulmuar me tortura, vrasje, përndjekje, masakra, djegie dhe diskriminim masiv ndaj shqiptarëve.
Arsyeja e tetë: Për shkak se popullata shumicë e Kosovës ka vendosur të mos jetojë me një shtet me Serbinë.
Arsyeja e tetë, por jo e fundit, thotë mediumi elektronik nga Beogradi, që Serbia duhet ta njoh Kosovën është fakt se popullata shumicë e Kosovës ka vendosur dhe është e vendosur që të mos jetoj në një shtet me Serbinë. Përcaktimi i tyre duhet respektuar nga Beogradi./Indeksonline/