Menaxherët e KEK-ut i privatizojnë banesat me çmime simbolike
Niveli menaxherial i Korporatës Energjetike të Kosovës, përveç pagave të larta, kanë përfituar edhe në aspektin e banimit. Kjo korporatë iu ka siguruar disa prej menaxherëve edhe kulmin mbi kokë. Gazeta Koha Ditore ka siguruar një listë me 43 persona, të gjithë në nivelin udhëheqës në KEK, të cilat kanë përfituar banesa në Prishtinë.Madhësia e këtyre banesave është e ndryshme. Sipërfaqja më e vogël që kanë përfituar këta punëtorë është rreth 60 metra katrorë. Ka të tillë që kjo korporatë ua ka siguruar edhe banesën e ëndrrave.
Pranvera Dobruna është përfituese e një banese me sipërfaqe prej 137.7 metra katrorë, e cila gjendet të Fakulteti Juridik.
Banesë me sipërfaqe më të madhe ka Visar Kelmendi. Banesa e tij gjendet në Rrugën “Kroi i Bardhë”, ka një sipërfaqe prej 147.22 metra katrorë, shkruan Koha Ditore.
Në mesin e përfituesve të banesave është edhe drejtori menaxhues i kësaj korporate, Arben Gjukaj. Porse nuk dihet sipërfaqja e banesës së tij, vetëm se ajo gjendet në rrugën “Palë Lucaj”.
Përfitues të banesave nga KEK-u ishin edhe: Palok Berisha, Fadil Musliu, Avdull Lala, Shefqet Baca, Ismet Raqa, Sami Dërmaku, Nazife Kraniqi, Ramdan Dibrani, Adem Gërguri, Antoneta Mazreku, Nazmi Derguti, Adem Grajqevci, Sabri Rashica, Shemsi Rashica e Nexhip Klinaku.
Të gjithë këta janë shfrytëzues të banesave të KEK-ut që nga viti 2003. Në po të njëjtin vit nga KEK-u ka marrë banesë edhe zv.ministri aktual, Gani Koci.
Të gjitha këto banesa nga KEK-u i kanë marrë vetëm në shfrytëzim. E ligji për blerjen e banesave i miratuar nga Kuvendi i Kosovës ua ka mundësuar atyre që këto banesa t’i blejnë me çmime simbolik.