Ish-ortaku i Dino Asanajt pronar i Banjës së Pejës
I pret palët në zyrën “Drejtori”, por thotë që kurrë nuk ulet në karrigen e madhe dhe të lëvizshme në krye të tavolinës së asaj zyre. “Janë ndërruar shumë drejtorë në të”, thotë Xhevdet Shoshi, pronari i ri “Banjës së Pejës”, që gjendet në territorin e komunës së Istogut. Tani, ai synon qëndrueshmëri për këtë biznes të njohur.
Aktualisht disa vizitorë trajtohen me ujin shërues të kësaj banje, por pronari thotë se shumë më tepër ka për të ardhur në këtë vend. Zotohet se aty do të investojë 30 milionë euro, shkruan gazeta Jeta në Kosovë.
Në fund të prillit, sipas të dhënave të Agjencionit Kosovar të Privatizimit , për një shumë prej 6.1 milionë eurosh ky biznesmen futi në pronësi kompleksin prej 26 hektarësh toke dhe katër hoteleve me sipërfaqe prej 38,000 metrash katrorë. Prej tyre aktualisht vetëm Hotel Onix është një gjendje për t’u përdorur.
Biznesi që ka qenë në pronësi shoqërore ka dështuar të privatizohet në tender ndërkombëtar dhe me spin off special për tre raunde radhazi. Për këtë arsye, sipas zëdhënësit të AKP-së Ylli Kaloshi, në raundin e katërt “Banja e Pejës’ u shit me privatizim të thjeshtë – projekt individual.
Gazeta Jeta në Kosovë pati raportuar se për këtë ndërmarrje, që nga shteti ishte promovuar si unike për shkak të ujit të saj, në betejë tenderësh kishin qenë biznesmenë të fuqishëm kosovarë, kryesisht me prejardhje nga Peja.
Në kuadër kësaj gare, në raundin e katërt dhe të fundit do të ofertonte edhe biznesmeni i fuqishëm kosovar, Ekrem Lluka. Ai qe tërhequr nga tenderi për të cilin pati dhënë një vlerë prej mbi 8 milionë eurosh me arsyetimin se ishte kërcënuar. Biznesmeni tjetër, Gani Dreshaj, i cili është i lidhur në biznes me Xhavit Halitin, deputet dhe një figurë qendrore në Partinë Demokratike të Kosovës në pushtet, dështoi të paguante me kohë shumën të cilën e kishte ofruar për blerjen e kësaj ndërmarrje.
Kështu në garë mbeti vetëm oferta e Shoshit, përmes Intering-ut, që tash ka lidhur kontratë me AKP-në dhe në Agjencionin për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë figuron si pronar i këtij biznesi.
Shoshi, njëri ndër pronarët e kompanisë “Intering” me seli në Gjermani që është përfituese e tenderëve publikë në energjetikë dhe kryesisht në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), thotë se pas investimeve do të mund të bëhet një “banjë termale me standarde të pranueshme në Europë”.
Ai ishte ortak në “Fshatin Amerikan” me ish-kryetarin e bordit të AKP-së, të ndjerin Dino Asanaj. Nënshkrimi i kontratës u bë nga pasardhësi i Asanajt, Blerim Rexha, i cili e përfundoi mandatin e tij me një dorëheqje së cilës i parapriu dorëheqja e përfaqësueses amerikane në këtë bord dhe që u shoqërua edhe me dorëheqje të tjera nga ky institucion.
Shoshi thotë se për të nuk ka pasur konflikt të interesit edhe sikur ta blinte “Banjën e Pejës” në të gjallë të Asanajt.