Anarkia në Pallat
Për një muaj me radhë, fotografia e Rexhep Taip Erdoganit ka qëndruar shumë krenare. Jo në Stamboll, por mbi Pallatin e Rinisë në kryeqytet. Muajin e fundit, edhe flamuri i shtetit turk është parë i shpeshtuar, brenda tendave të cilat deri ditën e djeshme ofronin ushqim për kohën e iftarit.
Bashkësia Islame e Kosovës dhe Eyupsultan Vakfi kanë zgjedhur që me bereqet ta kënaqin barkun e kosovarëve që vendosin të hanë në hapësirën mbi Pallatin e Rinisë, kjo një hapësirë publike që megjithatë ofron iftar të lehtë për agjëruesit. Në po të njëjtën hapësirë, jo shumë më parë është mbajtur festivali i birrës, ndërsa po aty për vite me radhë kanë zënë vend edhe edicione të ndryshme festivalesh, shkuan “Zëri”.
Maketi brenda Pallatit të Rinisë duket krejt ndryshe nga ajo që shihet jashtë. Me t’u futur në hyrjen poshtë fotografisë së Adem Jasharit, kjo maketë tregon projektin që fillimisht ishte menduar ndryshe, e që rrodhi edhe më ndryshe.
Pallati i Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet do të duhej të kishte patinazh e pishinë, në një projekt të ndarë në tri pjesë. Sot, kur kujtohet se për vite me radhë qytetarët e komunës së Prishtinës kanë ndarë 2 për qind të rrogës së tyre mujore për ndërtimin e Pallatit, dukja nga jashtë e brenda nuk i përngjan asaj për të cilën ishte investuar.
Për më tepër, debati mbi Pallatin që më shumë e lidhim me figurën e Boros e Ramizit, nuk ka as status të definuar.
Kjo bën që edhe fondet eventuale të fituara nga drejtoria e Pallatit të shkojnë për qytete tjera. Është folur për një proces të privatizimit, por për Komunën e Prishtinës një gjë e tillë është skandaloze. Vetë ushtruesi i detyrës së drejtorit gjeneral të Pallatit thotë se para disa vitesh, kushtet kanë qenë më të mira brenda Pallatit.