Kalo te lënda

Zhegër, fqinjët ia djegin qëllimisht serën

fotoYmer Selimi nga Zhegra, zyrtar në Qendrën për punë sociale në Gjilan, natën ndërmjet 9 e 10 gushtit i është shkaktuar zjarr i qëllimshëm nga fqinjët e tij.Selimi dyshon se të njëjtit e kanë kryer veprën me paramendim të përgatitur mirë me dy shishe të mbushura me benzinë, me të cilat është spërkatur sera e pastaj i është vënë flaka.

Selimi tha se pasi ka vërejtur zjarrin e fuqishëm, është zgjuar nga gjumi me tërë familjen dhe ka vrapuar drejt vatrës së zjarrit. Kam ftuar policinë e Gjilanit dhe të stacionit të Zhegrës, që i janë përgjigjur shumë shpejt thirrjes dhe falë ndihmës së tyre arritëm ta shuajmë zjarrin, i cili kishte marr përmasa dhe kanosej të përfshinte edhe disa objekte për rreth”, përshkroi ngjarjen Selimi për rajonipress.

“Pas shuarjes së zjarrit policia filloi vëzhgimin e vendit, ku edhe gjetën dy shishe të plastikës, me të cilat ishte bërë spërkatja e serës me benzinë”. Selimi tha se zjarri u cilësua nga ana e policisë si zjarrvënie e qëllimshme dhe e kryer me paramendim.

Të nesërmen edhe ekipi i forenzikës nga Gjilani mori provat nga vendi i ngjarjes për ekzaminim të mëtutjeshëm dhe hetim të rastit.

“Vepra e kryer nga ana e fqinjëve, në të cilët ne dyshojmë, është kryer me qëllim të ushtrimit të presionit që këta fqinjë ushtrojnë në vazhdimësi pasi me ata jemi në një kontest gjyqësor për pronën. Lënda është në gjykatë, por ata nga inati dhe motivet e ulëta në vazhdimësi mbi ne ushtrojnë presione të natyrave të llojllojshme”, tha ai.

Ismet Hashani, zëdhënës i policisë rajonale, e ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se zjarrvënia është e qëllimshme, të paktën sipas ankuesit, edhe pse rasti po hetohet në tërësi.

Lini një koment