Zbehet mbështetja e qytetarëve për organizatat serbe në veri
Mitrovicë, 10 gusht – Situata e sigurisë gjatë dy muajve të fundit në veri është përshkuar me disa incidente, por që nuk kanë ndikuar në sigurinë e përgjithshme. Kështu tha për Radio Kosovën drejtori komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë, Behxhet Bala.Ai tha se ngjarjet kryesore kanë qenë arrestimi i dy serbëve të dyshuar për krime, si dhe bllokada e rrugëve nga strukturat ilegale, si reagim ndaj këtyre arrestimeve.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Behxhet Bala tha se incidentet në veri të vendit janë duke u bërë nga e ashtuquajtura “Mbrojtja civile”. Bala thotë se megjithatë në veri gjendja është e qetë, por e pa qëndrueshme.
”Atje kanë mbetur disa struktura që po veprojnë, siç është ‘Mbrojtja civile’. Kohëve të fundit shihet një prani më e madhe e pjesëtarëve të kësaj organizate, por shenjë e mirë është se në këto organizime të tyre vërehet rënie e mbështetjes nga qytetarët”, tha ai.
Sipas balës, tani vërehet edhe një lëvizje e lirë dhe e shtuar e qytetarëve serbë nga veriu në jug të qytetit të Mitrovicës. Sipas tij, kjo është shenjë e mirë që tani popullata e ka kuptuar marrëveshjen e arritur në Bruksel.
Behxhet Bala bëri te ditur se bashkë me kryetarin Avni Kastrati kanë biseduar me qytetarët serbë në veri për t’iu sqaruar zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel për përmirësimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Marrëveshja është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit, tha Bala dhe u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës nga të dyja anët që të mos bien pre e provokimeve të
Ekstremistëve, të cilët dëshirojnë që situata e sigurisë në veri të vendit të mos jetë në nivelin e duhur.