Rrugët e Kosovës, të rrezikshme për qytetarët
Prishtinë, 10 gusht – Rrugët e Kosovës janë bërë të rrezikshme për qytetarët. E, sidomos ato, ku shenjat e këmbësorëve mungojnë dhe shpeshherë ndikojnë në shkaktimin e aksidenteve të ndryshme. Një kamerë e vendosur në një zyre në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ka filmuar një rast ku një vajzë që bëhet e ditur se është e lindur në vitin 2004, është aksidentuar nga një veturë, e shoferi nuk është ndalur fare pas aksidentit. Saktësisht 18:37 minuta ka shënuar ora kur ka ndodhur ky aksident. Kamera tjetër e ka kapur edhe llojin e veturës, por targat nuk shihen si pasojë e lartësisë ku ka qenë e vendosur kamera. Nexhmedin Llapashtica nga zyra e të cilit është filmuar kjo ngjarje, ka bërë të ditur rrethanat se si ka ndodhur aksidenti dhe që, përveç qytetarëve, nuk i ka ndihmuar askush këtij fëmije. Sipas tij, ndonëse është njoftuar Policia e Kosovës, ata nuk kanë dalë fare në vendin e ngjarjes. Mirëpo, Brahim Sadriu, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se policia i ka nisur hetimet rreth rastit, por ende nuk ka diçka të re. KTV-ja, është interesuar për gjendjen e fëmijës nëntëvjeçar edhe në Qendrën Emergjente, pasi është njoftuar se është dërguar atje për trajtim, por kjo ishte e pamundur. Një rast i ngjashëm si ky ka ndodhur gjatë javës edhe në Ferizaj.