Kalo te lënda

Prishtina qytet i pajetueshëm

fotoKryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli e ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Isa Mustafën se e ka bërë kryeqytetin qytet të pajetueshëm. Pavarësisht se e konsideron mik të madh, Pacolli ka thënë se është i zhgënjyer me keqmenaxhimin e kryeqytetit prej vitit 1999.

“Praktikisht, Prishtina është bërë një qytet i pajetueshëm dhe ajo shihet sot”, ka thënë Pacolli për televizionin publik.

“Unë kam një respekt shumë të madh për z. Isa Mustafa. Por, një realitet ekziston për Prishtinë që është dhe e kam thënë edhe më herët se unë e ndiej vetën të zhgënjyer si qytetar i Prishtinës”, ka shtuar ai.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe të LDK-së nuk kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave.

Ndryshe, Pacolli ka vazhduar me akuzat ndaj LDK-së dhe Isa Mustafës. Ka thënë se asnjë parti nuk duhet ta trajtoj Prishtinën si pronë private.

“Unë z. Mustafa i them se është mik i imi dhe kam respekt. Por, duhet t’i them se Prishtina mbetet qyteti i gjithë kosovarëve. Dhe, Prishtina kurrë nuk duhet të jetë pronë e një partie politike”, ka deklaruar Lideri i AKR-së.

Pacolli nuk ka treguar se kush do të jetë kandidat i AKR-së për Kryeqytetin, derisa ka konfirmuar se vet nuk do të jetë në garën për të udhëhequr me qytetin më të madh të Kosovës.

“Unë nuk do ta sfidoj z.Isa Mustafa. Ne kemi kandidatë të tjerë për Prishtinën. Por, do t’i jap Prishtinës një kandidat që do të punoj me nder, profesionalizëm që do të investojë shpirtin e vet në udhëheqjen e Prishtinës”, ka treguar Pacolli.

Ai ka thënë se Prishtinën e kanë udhëhequr njerëzit që nuk kanë pasur vizion dhe e kanë ngulfatur qytetin.

Sipas tij, tash ka ardhur koha që në krye të Prishtinë të vjen një njëri që mendon për qytetarët dhe problemet e tyre.

“Prishtina është ndërtuar mbrapshtë. Prishtina duhet të ketë një vizionar”, ka thënë Pacolli.

Lideri i AKR-së ka ironizuar me programet e LDK-së që i ka realizuar për Prishtinën, duke thënë se nëse Isa Mustafës i duhet një ide ose projekt për Kryeqytetin, atëherë AKR është e gatshme të ndihmoj në këtë drejtim.

“Nëse LDK-së i nevojitet një program për zhvillimin e Prishtinës ne do ta ndihmojmë”, ka thënë Pacolli.

Lini një koment