Përplasje fizike mes policëve, një i shoqëruar
Një përplasje e çuditshme ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Vorç afër Tiranës. Në përplasje janë përfshirë një inspektor krimesh dhe dy punonjës të patrullës së policisë. Mësohet se pas përplasjes, agjentet e SHKB-së kanë shoqëruar në polici inspektorin Përparim Myftaraj. “Rreth orës 02:00 të mëngjesit, inspektori në detyrë Myftaraj ka kërkuar nga patrulla të shkonin në Vorë për të ndaluar dhe verifikuar një makinë, pasi dyshohej se kishin drogë dhe armë. Patrulla ka shkuar në vendin e ngjarjes me një orë vonesë, pasi Myftaraj kishte ndaluar vetë makinën për ta kontrolluar.
Për shkak të vonesës së patrullës, pjesëtarët e së cilës dyshohet se ishin në gjumë, Myftaraj ka debatuar me dy punonjësit e policisë, të cilët janë përplasur fizikisht me inspektorin”, raporton “News 24″.
Pas përplasjes fizike, mëngjesin e sotëm është shoqëruar nga SHKB-ja inspektori Përparim Myftaraj për të dhënë shpjegime për incidentin e rrahjes mes tyre pasi dy efektivët e patrullës e kanë kallëzuar penalisht.