Mustafa: Diçka nuk po funksionon në PDK
Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit dhe nënkryetar i PDK-së thotë se PDK ka qeverisur me plotë përgjegjësi e respekt për ligjin përkundër shumë pengesave . “Kemi qenë në rrugë të mirë, por ka do kohë që diçka nuk është duke shkuar mirë në parti”, tha ai.
Heshtja e Hashim Thaçit rreth nominimit të kandidatit për kryetar të Gjilanit nga radhët e PDK-së në Gjilan ka ngritur tensione e frikë se kush do jetë kandidati nga ky subjekt politik, që do të sfidohet me kandidaturat e LDK-së, që tashmë kandidat ka Lutfi Hazirin dhe atë të AAK-së, Rexhep Kadriun.
Mustafa vazhdon të mbetet sërish në qendër të vëmendjes të paktën tek shumë qytetarë dhe përkrahës të tij që i ka jo vetëm në PDK, por kudo dhe kah do.
Tashmë Mustafa ka dhënë vërejtjet e tija publike edhe rreth procesit zgjedhor në PDK, edhe rreth heshtjes së Hashim Thaçit dhe vonesës së tij për të përcaktuar kandidatin e PDK-së në Gjilan.
Megjithatë, Mustafa për rajonipress thotë se PDK-ja në Gjilan dinjitetshëm dhe me plotë elegancë i ka fituar tri palë zgjedhje dhe ka qeverisur me plotë përgjegjësi e respekt për ligjin, për qytetarin dhe familjet e Komunës së Gjilanit, përkundër shumë pengesave, të cilat thotë se i kanë sfiduar suksesshëm.
”Kemi qenë në rrugë të mirë, por ka do kohë që diçka nuk është duke shkuar mirë në parti (PDK), por prapë, qysh thotë populli, ‘hajri e daftë..’” u shpreh Mustafa.