Telekomi i Serbisë merr licencë për telefoni fikse në Kosovë
Beograd, 9 gusht – Marrëveshja për telekomunikacionin ndërmjet Beogradit e Prishtinës thuaja është arritur dhe se përfundimin po e pengon formulimi konkret i saj, shkruan “Politika” e Beogradit. Sipas kësaj gazete bëhet fjalë për përdorimin e disa termeve, për të cilat këmbëngulë Prishtina dhe që sipas delegacionit serb do të mund të implikonin sovranitetin e Kosovës.
Sipas kësaj të përditshmeje serbe, Serbia do t’i jepte Kosovës kodin telefonik ndërkombëtar 383 ose 384, kurse vetë ajo (Serbia) do të ndalte numrin 381.
Gazeta pohon se është arritur marrëveshja që Te;lekomi i Serbisë të marrë licencën për telefoni fikse për tërë territorin e Kosovës dhe të mbajë telefoninë mobile atje ku e ka infrastrukturën për rrjetin e vet mobil. Por po ashtu thuhet se parashihet mundësia që Telekomi i Serbisë në të ardhmen të marrë pjesë në tenderin eventual edhe për telefoni mobile për gjithë territorin e Kosovës.