Kalo te lënda

Kosovës kodin, Serbisë operatorin mobil

fotoCAQ0N6OFBruksel, 9 gusht – (E plotësuar) Ndërkohë Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe raporton se Prishtina e Beogradi janë afër arritjes së kompromisit për telekomunikacionin. Sipas saj palët janë pajtuar që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383, për të cilin në vjeshtë do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së: Suedia, Italia ose Austria.
Sipas REL është arritur marrëveshja edhe rreth operatorit të Telekomit serb në Kosovë. Sipas këtij burimi operatori serb do të ketë një treg të caktuar në Kosovë dhe se nuk do të jetë e detyruar të përdor kodin e Kosovës +383 kur thirret nga Kosova në Serbi. Në këtë mënyrë serbët në Kosovë nuk do të paguajnë tarifën ndërkombëtare për thirrjet telefonike.

Bruksel, 9 gusht – 09:37 – (E plotësuar) Ndërsa zyrtarë serbë mbrëmë mohuan të jetë arritur marrëveshja mes Kosovës e Serbisë rreth telekomunikacionit, burime të “Kohës Ditore” në Bruksel konfirmojnë se tashmë është arritur marrëveshja që Kosova të ketë kodin (prefiksin) e vet telefonik +383, kurse Telekomi i Serbisë do të ofrojë shërbime telefonike në lokalitetet e banuara me serbë në Kosovë, kurse thirrjet telefonike nga Kosova në Serbi do të trajtohen si thirrje lokale.
Prefiksi i telefonisë për Kosovën do të sigurohet përmes Austrisë ose Suedisë.

Prefiksi telefonik i Kosovës + 383
Bruksel,  8 gusht – Serbia ka pranuar marrëveshjen me Kosovës për çështjen e telekomunikacionit. Sot ishte dita e fundit kur Serbia duhej t’i kthente përgjigje Bashkimit Evropian nëse do ta pranonte marrëveshjen apo jo. Pika më e diskutueshme ka qenë Kodi telefonik ndërkombëtar i Kosovës. Sipas burimeve të Kohavisionit, Kosova do ta ketë kodin +383 dhe nuk do të aplikojë vetë, mirëpo nëpërmes Austrisë apo Suedisë. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh udhëheqëse e delegacionit kosovar në këto bisedime, ka thënë dje se draftmarrëveshja e fundit e propozuar nga BE-ja ishte e pranueshme për Kosovën, por se Serbia ishte ajo që pati mospajtime. Takimi i radhës mes kryeministrave Thaçi e Daçiq varej kryesisht nga rezultatet e këtyre negociatave për telekomunikacionin.

Lini një koment