Kalo te lënda

Klinaku: Kosova ta ketë një kod të përbashkët me Shqipërinë

fotoCAA6955MKryetari i Lëvizjes për Bashkim Avni Klinaku thotë se zgjidhja më e mirë për kodin telefonik të Kosovës është që Kosova ta përdorë kodin e njëjtë me Shqipërinë.

Kuvendi i Kosovës në shtator të vitit të kaluar pati miratuar një rezolutë për këtë çështje, por Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit e pati bërë të qartë se Kosova nuk mund ta përdorë kodin telefonik të Shqipërisë.

Klinaku thotë se me bisedimet në Bruksel, po shkelet kjo rezolutë e Kuvendit. Sipas tij, këto bisedime, nuk sjellin pavarësi në fushën e telekomunikacionit në Kosovë.

“Bisedimet me Serbinë, Kosovës në asnjë variant nuk i mundësojnë një pavarësi në sferën e telekomunikacionit. Nëqoftëse ai kod mund të merret juridikisht çka dyshojmë shumë nga Suedia apo Austria, prapë Kosova nuk do ta ketë kodin e saj telefonik, por do ta shfrytëzojë një kod të huaj, në këtë rast të Suedisë, apo të Austrisë”, tha Klinaku për Radio Kosovën.

Klinaku thotë se zgjidhja më e mirë është ajo që është kërkuar me Rezolutën e Kuvendit, që Kosova ta ketë një kod të përbashkët me Shqipërinë. Ai përmend shembuj të shteteve që përdorin të njëjtin kod telefonik, ndërsa thekson se as në aspektin kombëtar, ekonomik, apo të sigurisë, nuk ka asnjë arsye që Kosova e Shqipëria të kenë dy kode të ndryshme telefonike.

“Këtu hyjnë dy aspekte, ai i integrimeve ndërkombëtare dhe i aspektit ekonomik. Unë mendoj se në të dyjat neve na bie më mirë që të kemi një kod telefonik dhe ta bëjmë një treg shumë të fuqishëm në sferën e telekomunikacionit bashkërisht. Pra kodi ynë me pavarësi të plotë ne a hap këtë mundësi. Ju e dini që edhe SHBA-të dhe Kanada janë shtete të pavarura edhe pse e kanë pasur të dyja të drejtën për ta pasur një kod telefonik, ato kanë vendosur ta përdorin një kod telefonik”, tha Klinaku.

Ndryshe, rezoluta e inicuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e miratuar në Kuvend me më 6 shtator të vitit të kaluar obligoi Qeverinë e Kosovës që të nisë negociatat me Qeverinë e Shqipërisë për zëvendësimin e kodit aktual të Kosovës, me kodin telefonik të Shqipërisë.

Ende pa nisur mirë punën grupet punuese, gjatë një vizite në Tiranë sekretari i përgjithshëm i Unionit Ndërkombëtar për Telekomunikacionin, Hamadoun Toure e bëri të qartë se Kosova nuk mund ta shfrytëzojë kodin telefonik të Shqipërisë.

Ai pati thënë se kodin e tij telefonik mund ta ketë një vend vetëm kur njihet nga OKB-ja. Sipas tij, duke pasur parasysh faktin që në botë janë mbi 6 miliardë telefona celularë dhe secili prej tyre është unik, përdorimi i një kodi nga një vend tjetër mund të krijojë shumë probleme teknike. Megjithatë, Kosova si shtet i pavarur, aktualisht përdor prefiksin e telefonisë fikse 381 me Serbinë, dhe të telefonisë mobile 386 me Slloveninë dhe 377 me Monakon.

Lini një koment