40 profesorë, me nga dy vende pune
Rreth 40 profesorë të rregullt të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë afat deri më 20 shtator të vendosin përfundimisht: a do të punojnë në universitet apo në ndonjë institucion tjetër.
Rektori i këtij universiteti, Ibrahim Gashi, ka shprehur optimizëm se 40 profesorët që janë identifikuar se kanë dy kontrata të rregullta pune do të vendosin se cilën ta mbajnë. Ai ka thënë se nëse këta profesorë deri më 20 shtator nuk do të dërgojnë dëshmi për shkëputje të marrëdhënies së dytë të punës do të ndërmerren veprime të njëanshme për shkëputje të kontratës pa ndonjë paralajmërim tjetër. Një hap të tillë deri më tani mësohet se e ka marrë vetëm profesor Nagip Skënderi, i cili deri para pak ditësh ka qenë sekretar i përhershëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Gashi ka treguar për “Epokën e re” se ka pasur takime me profesorë, të cilët kanë deklaruar se i kanë dy kontrata të rregullta pune. “Në bisedë e sipër ka rezultuar se një pjesë e tyre kanë bërë gabime, duke mos e ditur statusin e tyre në organizatën tjetër. Secilit në këtë ballafaqim ua kemi kërkuar kontratën që kanë me institucionin tjetër, e kur i kemi krahasuar kontratat, ka dalë që rreth 40 veta mbajnë edhe një marrëdhënie të rregullt pune jashtë UP-së.
Kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin e Punës. Natyrisht se kjo e dëmton shumë cilësinë e punës së tyre në UP, sepse kontratat me institucionet e tjera që ata i kanë janë kontrata që i obligojnë të jenë në pjesën frontale të ditës, prej orës 08:00 deri në 16:00”, ka thënë Gashi./Indeksonline/