Thaçi: Po vazhdon implementimi i Marrëveshjes së 19 prillit
Qeveria e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt me aprovimin e vendimeve dhe projekt rregulloreve nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se procesi i implementimit të marrëveshjes së 19 prillit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke vazhduar. Ekipet teknike dhe profesionale janë duke zhvilluar takime të reja në Bruksel, në veçanti është në përmbyllje e sipër i gjithë procesi i IBM-it, gjë që nënkupton edhe fillimin e ndërtimit të objekteve moderne në pikat kufitare, njofton Kryeministria përmes një kumtese.
Në vazhdim Thaçi ka ftuar të gjithë qytetarët për pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje më 3 nëntor.
Në vazhdim, kabineti qeveritar ka miratuar projekt rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, që ka për qëllim përcaktimin e organizimit të brendshëm të kësaj ministrie, dhe organeve tjera të administratës shtetërore nën mbikëqyrjen e saj.
Në këtë mbledhje është aprovuar edhe Strategjia për Cilësinë e Ajrit dhe Plani i Veprimit 2013-2017, që ka për qëllim të zhvillojë dhe zbatojë instrumentet e caktuara, me qëllim të ngritjes së cilësisë së jetës, duke siguruar bazën për përmirësim të cilësisë së ajrit. Strategjia dhe plani i veprimit synojnë të rrisin nivelin e mbrojtjes dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit, në pajtim me standardet e përcaktuara të Bashkimit Evropian dhe të praktikave më të mira.
Me kërkesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka shtyrë miratimin e vendimit për negocimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit, lidhur me rregullimin e punësimit të fuqisë punëtore nga Kosova në këtë shtet. Qeveria e Republikës të Kosovës ka darë mjete financiare në vlerë prej 700,000.( shtatëqind mijë ) euro, për mbështetjen e implementimit të reformave ekonomike.