KOSID kundër Kosova e Re, kërkohet ndihma e Kerryt
Një grup i organizatave qytetare në Kosovë, KOSID, i kanë kërkuar SHBA-së që të mbështetet në Bankën Botërore për të ndaluar fondet për ndërtimin e një termocentrali me linjit, njofton agjencia britanike e lajmeve Reuters.
Veprimi i Konsorciumit të Shoqërisë Civile kosovare për Zhvillim të Qëndrueshëm do të jetë testi i parë për politikat e reja të kreditimit të Bankës Botërore, që tashmë po fokusohen në çështje klimatike, por dhe për administratën e Obamas.
Konsorciumi i përbërë nga dhjetë organizata i ka shkruar të mërkurën sekretarit të Shtetit amerikan, John Kerry, i cili si senator ka qenë një avokat i zëshëm për çështje të tilla, duke i kërkuar atij që të udhëheqë përpjekjen e qeverisë amerikane për të identifikuar burime për energji të pastër, si një alternativë e termocentralit të propozuar me linjit prej 600 MW (Kosova e Re).