Daka bllokoi aplikacionet për votuesit jashtë vendit
Prishtinë, 7 gusht – Koordinatori i shërbimit të votuesve në sekretariatin e KQZ-së Adnan Rrustemi, ka rrëfyer në emisionin “Interaktiv” të KTV-së gjithë prapaskenat që sollën deri të dorëheqja nga posti i tij në KQZ. Ai ka bërë publike se kërcënimet dhe presionet i kanë ardhur nga kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, nga Brukseli, derisa ajo gjendej për bisedime teknike atje.
“Ka qenë kulminante e marta, gjatë së cilës kryesuesja e KQZ-së nga Brukseli ka bërë presion të vazhdueshëm në sekretariatin e KQZ-së që të ndërpriten disa operacione që janë në proces të implementimit, e që janë operacione ligjore. Bëhet fjalë për operacionin e votimit jashtë vendit që përfshin diasporën në përgjithësi. Kjo fazë është shumë e rëndësishme për këtë kategori të votuesve.
Ndërprerja që është bërë si pasojë e kësaj kërkese antiligjore jo vetëm me ligjin, por edhe me rregullat e KQZ-së i ka dëmtuar shumë votuesit jashtë vendit”, ka thënë Rrustemi. Sipas tij, kjo kërkesë arbitrare dhe ultimative e kryesueses së KQZ- nga Brukseli, bërë sekretariatit, do t’i dëmtojë votuesit jashtë vendit dhe do të pamundësohet pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e 3 nëntorit.