Skënderbeu eliminohet kryelartë
Kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, ka regjistruar fitore prej 3-2 përballë Shakhter Karagandyt, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Përkundër fitores së regjistruar në Korçë, ekipi shqiptar nuk vazhdon tutje në garën më të madhe evropiane, duke qenë se pësoi 0-3 në takimin e parë të zhvilluar në Astana të Kazakistanit.
Skënderbeu shënoi tri herë në pjesën e parë, me anë të Zeljko Tomic (9’) dhe Blendi Shkembi (20’ dhe 29’) dhe ky rezultat do t’i dërgonte në vazhdime.
Mirëpo, gjithçka prishi një gol i Sergey Khizhnichenkos (38’) dhe më pas çdo shpresë shoi Maksat Bayzhanov me golin e dytë të mysafirëve (66’).
Edhe pse humbi, garat evropiane nuk kanë marrë fund për klubin shqiptar. Korçarët kanë një tjetër mundësi të artë, ata do të luajnë në raundin e ‘play-offit’ të Europa League.