Hoti: PDK-ja e ka trajtuar keq Prishtinën
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës për keqqeverisje në kryeqytet.
Hoti, ka thënë se në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit qytetarët do ta rikonfirmojnë besimin e LDK-së edhe për një mandat tjetër qeverisës.
Ai është shprehur i bindur në fitore, duke thënë se LDK-ja nuk do ta lëshojë Prishtinën.
“Besoj se qytetarët e Prishtinës do të votojnë prapë LDK-në për katër vjetët e ardhshëm. Jemi të bindur në fitore, prandaj LDK-ja nuk do ta lëshojë Prishtinën”, ka thënë Hoti për “Epokën e re”, duke iu kundërpërgjigjur kritikave të sekretarit të përgjithshëm të PDK-së, Basri Musmurati, për keqqeverisje në kryeqytet.
Ai ka vlerësuar se PDK-ja e ka trajtuar keq Komunën e Prishtinës, duke e bllokuar Ligjin për Prishtinën dhe procesin e zhvillimit të saj.
“Z. Musmurati është zëvendësministër i Pushtetit Lokal. Për të pasur gjasa partia e tij në Prishtinë ai është dashur personalisht të kujdeset më shumë për Prishtinën si kryeqytet, partia e tij e ka bllokuar Ligjin për Prishtinën, partia e tij e ka bllokuar ndërtimin e unazës te hekurudha, partia e tij e ka trajtuar Prishtinën shumë më keq se çdo komunë tjetër. Si mund tash të pretendojë të fitojë Prishtinën?!”, ka pyetur Hoti, duke shtuar se PDK-ja nuk mund të synojë fitore në Prishtinë, meqë është partia e tretë dhe në çdo palë zgjedhje ka shënuar rënie, përderisa LDK-ja ka pasur rritje.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se PDK-ja e ka filluar mandatin me shtatë këshilltarë komunalë, ndërsa është duke e përfunduar vetëm me pesë prej tyre. “PDK-ja është partia e tretë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. PDK-ja e ka filluar mandatin në vitin 2010 me shtatë këshilltarë komunalë, ndërsa po e përfundon me vetëm pesë, ngase po ikin këshilltarët nga kjo parti. Ndërsa LDK-ja e ka filluar mandatin me 25 këshilltarë komunal, ndërsa po e përfundon me 30”, është shprehur Hoti.
Nënkryetari Hoti ka deklaruar se fitorja e LDK-së në Prishtinë do të konfirmohet falë punës së mirë që është bërë deri më tani.
Ai ka treguar se aktualisht Komuna e Prishtinës është duke e përmbyllur shumicën e projekteve që kanë qenë premtime elektorale në vitin 2009. Po në këtë kontekst, ai ka thënë se projekti për furnizim me ujë dhe ngrohje qendrore në Prishtinë tanimë është në realizim.
“Hapësirat gjelbëruese janë shumëfishuar, pastrimi i qytetit është përmirësuar dukshëm, ndriçimi publik është zgjeruar dhe modernizuar, janë në finalizim dy sheshe madhore, janë modernizuar rrugët në pjesët rurale, është mbuluar qyteti me plane rregulluese, janë në finalizim plani zhvillimor urban dhe komunal, janë ndërtuar kolektorë të mëdhenj në disa lokacione në qytet, janë ndërtuar komplekse banesore për raste sociale dhe për kategoritë e dala nga lufta. Po ashtu, është rritur dukshëm buxheti i komunës”, ka thënë Hoti. /Telegrafi/