Vidhet kamioni i Mabetex
Basri Bytyqi, 48-vjeç, është shpallur person në kërkim nga autoritetet e rendit pasi që i njëjti të enjten e fundit është zhdukur se bashku me një kamion të firmës Mabetex.
I dyshuari ka arritur të mashtrojë rojën e firmës duke i paraqitur atij autorizime të rreme kinse kamioni është prone e tij dhe që duhet t’a marrë me vete.
Rasti i mashtrimit është raportuar në stacionin policor në Prishtinë dhe që menjëherë kanë nisur hetimet përkitazi me ngjarjen.
Sabrie Kamberi, zyrtare për informim në Policinë e Kosovës ka thënë se, me datën 01.08.2013, në orën 23 e 50, ankuesi ka raportuar se një i dyshuar, i njohur për të, ka marrë një kamion me rimorkio dhe që nga data e cekur është larguar në drejtim të panjohur.
“Njësitet policore në konsultim me prokurorin e kanë hapur rastin e cilësuar si Mashtrim dhe lidhur me ketë janë duke u kryer hetime intensive në të gjitha drejtimet”, ka thënë Kamberi, për Indeksonline.
Jo zyrtarisht, Indeksonline ka mësuar se Bytyqi dyshohet që ka dalë së bashku me kamionin e firmës Mabetex në territorin e Shqipërisë.
Policia nuk ka treguar nëse pista e hetimeve është shtrirë edhe në shtetin amë, por që sipas tyre hetimet po vazhdojnë pandërprerë.
Një punëtor i firmës Mabetex, pronë e së cilës është biznesmeni Selim Pacolli, në kushte anonime ka thënë se Basri Bytyqi deri para një viti ka qenë punëtorë në firmë, mirëpo për arsyeje të panjohura më nuk është pjesë e Mabetex./V.K/Indeksonline/