Helmohet nga uji i prodhuar në fabrikë
Një qytetar është helmuar si pasojë e konsumimit të ujit të prodhuar nga njëra prej fabrikave të ujit në Pejë. Në QKUK dhe në polici e konfirmojnë rastin, kurse drejtuesit e kompanisë që prodhon ujin, shprehen të bindur se shishja me materie të pakontrolluar është futur në treg nga ata që po mundohen ta ndalin depërtimin e suksesshëm të kompanisë së tyre në treg.
Fahri Blakqori nga Prishtina, dyshon se është helmuar me ”Ujin e Pejës”, të premten në mbrëmje. Ai thotë se në njërën nga shishet e blera po atë ditë në një qendër tregtare në Prishtinë, ka pasur materie helmuese që siç i përshkruan ai, të ngjajnë në tretës, transmeton RTK.
Familja Blakqori është tronditur me rastin që i ndodhi. Ata menjëherë kanë dërguar në QKUK, familjarin e tyre Fahriun, të cilit në çdo sekondë, siç thonë ata, i rrezikohej jeta.
Edhe personeli shëndetësor në qendrën emergjente e konfirmon rastin. “Është paraqitur në Qendrën emergjente Fahir Blakqori me ankesa për helmim. Është bërë trajtimi dhe pas trajtimit spitalor është liruar për në shtëpi me rekomandimin për trajtim shtëpiak”, tha Jeton Zhitia i cili ka qenë në ekipin kujdestarë të asaj nate.
Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë marrë edhe mostrat për t`i nisur hetimet. Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, thotë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe se në konsultim me prokurorin, është hapur rasti, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Kelani tha se është duke u punuar në këtë drejtim me të gjitha organet tjera gjegjëse.
RTK e ka kontaktuar pronarin e kompanisë së ujit ”Peja”, Enis Cigani, i cili ndodhej jashtë vendit për pushime, por nëpërmjet telefonit e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë, duke thënë se uji i prodhuar në fabrikën e tij nuk ka mundësi të dalë me materie helmuese.
Ai shtoi se kjo që ka ndodhur është e qëllimshme dhe e montuar nga persona të caktuar, në mënyrë që të dëmtohet imazhi i kompanisë së tij pikërisht në kohën kur depërtimi në treg është i fuqishëm. Cigani u shpreh i gatshëm që të përballet me organet kompetente deri në zbulimin e të vërtetës.
Ndërsa, familja Blakqori është e vendosur që rastin ta dërgojë deri në fund, ngase, si siç thonë ata, dikush do të duhet të japë llogari për rrezikimin e jetës së familjarit të tyre – Fahriut.