Pacientët të paraqesin rastet neglizhuese të mjekëve
Pacientët në Qendrën Klinike Universitare shpesh dyshojnë për neglizhencë, keqpërdorim apo gabime mjekësore, nga mjekët. Por, ata nuk marrin guximin që të shprehin hapur ngjarjen, derisa një pjesë e tyre nuk janë në dijeni se ku mund t’i adresojnë ankesat. Ndryshe kreu i Komisionit Etiko-profesional, Hysen Hyseni u bënë thirrje pacientëve që të paraqesin rastet kur ata konsiderojnë se janë neglizhuar nga mjeku.
Ndonëse pacientët kanë vërejtje për sjelljen e personelit mjekësor, ata nuk janë në dijeni se ekziston komisioni i cili mund të shqyrtojë lëndën e tyre. I intervistuari ynë, pacient në QKUK thotë se nuk është i informuar se ekziston një komision i cili merret me ankesat e pacientëve.
“Sigurisht që vërejtje ndaj mjekëve ekzistojnë, këtë e has sipas meje në çdo hap pa marr parasysh a në QKUK apo në ndonjë qendër tjetër lokale por që ekziston ky komitet nuk e kemi ditur dhe s”kemi pa asnjë aktivitet. Sigurisht që sikur unë edhe qytetarët e tjerë nuk e din ku me shku, megjithëse dyshojë se qytetarët edhe nëse kanë mundësi me u anku këtu (QKUK) a do të kishin mundësi me e ba këtë”, thekson pacienti.
Përveç kësaj, ka raste kur pacientët e bëjnë ankesën por nuk japin shumë informacione rreth identitetit të tyre. Këtë e pohon edhe kreu i komisionit Etiko-profesional, Hysen Hyseni i cili thotë se në raste të tilla e kanë të vështirë të identifikojnë problemin.
“Aty, këtu nëpër klinika të ndryshme ka neglizhencë ndaj rasteve të cilat trajtohen. Mirëpo, është interesant se vetë pacientët, vetë palët nuk bëjnë ankesa. Tani i kemi dy raste, një rast është i cili ka të bëjë më shumë me pjesën e ofendimit në aspektin fetar, por që pala e cila ka bërë ankesë, nuk ka shënuar kontakt numër as adresë që ne ta kontaktojmë. Ne e kemi marr mjekun në pyetje dhe ai i ka mohu të gjitha, tash ne si ta kontaktojmë palën për të marr edhe disa të dhëna nga ajo”, tha Hyseni.
Hyseni thotë se ndonëse, nga gabimet mjekësore pëson pacienti, kjo do t’i kushtojë edhe vetë punëtorit shëndetësor i cili mund të ndëshkohet, t’i merret licenca e punës, të mos i vazhdohet kontrata, të kthehet në ri-edukim apo edhe rasti të propozohet për gjykatë./RadioKosova/.