“Kërkojmë ndihmën e Kosovës, ose të Serbisë”
Javë më parë në Prishtinë janë kthyer kontingjenti i parë prej 110 emigrantëve të Kosovës nga Hungaria, por atje kanë mbetur edhe rreth 250 emigrantë të tjerë.
Indeksonline ka zhvilluar një bisedë permës telefonit me një emigrant kosovar.
A.S ka treguar se ata edhe më tej po vazhdojnë të keqtrajtohen dhe se gjendja e tyre është alarmante.
“Krejt kampet janë në mënyrën më të keqe të mundshme, nuk kemi më çfarë të bëjmë, veç me vdek këtu. Edhe dyert më shumë po na i mbajnë mbyllur se sa hapun. Një njërin kamp edhe po i rrahin, në kampin familjar fëmijët as me qumësht nuk i furnizojnë. Për ushqim s’kemi çka flasim, është tmerrësisht i keq”, ka treguar ai përmes telefonit.
Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që brenda 24 orëve t’iu kthehet një përgjigje për ndihmën e kërkuar, në të kundërtën do të kërkojnë ndihmën e Serbisë.
“Kërkojmë vetëm një përgjigje, se sa kemi me qëndru këtu, një javë, dy javë, një muaj apo edhe më shumë .. por nëse Qeveria e Kosovës nuk është e gatshme me na ndihmu, atëherë neve na mbetet me kërku ndihmë nga armiku jonë, nga Serbia, që jo Kosova, i’a mësyjmë armikut”, ka theksuar ai për Indeksonline.
Indeksonline ka kontaktuar edhe Ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, mirëpo i njejti nuk ka pranuar që të flasë lidhur me këtë çështje.
Ndryshe, gjatë këtij viti rreth 5400 kosovarë kanë hyrë ilegalisht në Hungari./Indeksonline/