Thaçi ndërhyn në zgjedhjet e PDK-së në Prizren
Këshilli Drejtues i Degës së PDK-së në Prizren ka shtyrë zgjedhjet për Kryesinë dhe kryetarin e ri, pasi që kryetari i kësaj partie Hashim Thaçi, ka kërkuar që numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues nga 71 të rritet 110 anëtarë.
Në fakt, kjo degë e kësaj partie, të enjten mbrëma ka shtyrë për herë të dytë zgjedhjen e Kryesisë dhe kryetarit të partisë, shkruan “Tribuna”.
Sipas një burimi brenda takimit të PDK-së, ka qenë vetë kryetari i partisë Hashim Thaçi që ka marrë pjesë në këtë takim të degës në Prizren. Sipas burimeve, ai ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjes së kryesisë sepse, siç ka thënë Thaçi, duhet shtuar numri i anëtarëve të Këshillit Drejtues.
Sipas të njëjtave burime, kryetari i partisë e ka bërë këtë kërkesë në mënyrë që të sigurohet vota e mjaftueshme që kryetar i degës të zgjidhet Nijazi Kryeziu, i cili aktualisht është sekretar i kësaj dege dhe kryesues i Asamblesë së Komunës së Prizrenit. Në këtë mënyrë do të eliminohej nga gara, deputeti i PDK-së Nait Hasani i cili edhe ka qenë anëtari më i votuar në zgjedhjet e fundit të degës.