Serbia ‘pranon’ marrëveshjen
Serbia po lëviz drejt pranimit të marrëveshjes me Kosovën. Krerët e shtetit serb kanë vendosur ta pranojnë marrëveshjen e ofruar nga Baronesha Catherine Ashton në takimin e 2 prillit në Bruksel.Presidenti Tomislav Nikolic, Kryeministri Ivica Dacic dhe Zëvendëskryeministri Aleksandër Vuciq- në takimin e përbashkët që patën dje në Beograd – janë dakorduar për qëndrimin e tyre që duhet ta bëjnë publik deri të martën, kur edhe është afati i fundit i vënë nga Kryediplomatja e Bashkimit Evropian.
Një diplomat perëndimor, i përfshirë në dialogun Prishtinë-Beograd, i tha Gazetës Express se krerët e Serbisë do t’i thonë “po” marrëveshjes.“Në takimin e djeshëm është vendosur që të shikohen mundësitë dhe variacionet më të lehta për pranimin e marrëveshjes. Njëkohësisht është diskutuar se si të përgatitet opinioni në Serbi dhe në veçanti serbët e Veriut të Kosovës”.
Bashkimi Europian dhe shtetet tjera të përfshira në dialog, nuk i kanë dhënë shumë alternativa autoriteteve të Beogradit. Thjeshtë ata duhet të tregojnë deri të martën nëse do ta pranojnë apo jo marrëveshjen përmes të cilës shuhet strukturat paralele, derisa organi më i lartë politik i serbeve kosovarë është krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe mbi bazën e legjislacionit të Republikës së Kosovës. Ndërkohë, mediat e Serbisë raportojnë se krerët e shtetit serb do të vazhdojnë konsultimet edhe ditën e diel, ku tre zyrtarëve të lartë pritet t’iu bashkohet edhe shefat e grupeve parlamentare./r.b