Mbi 10 mijë shqiptarë të dëbuar nga veriu i Mitrovicës
Zyrtarët e Komunës së Mitrovicës, kanë reaguar ndaj deklaratave të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin, për gjoja përpjekjet e shqiptarëve për të ndryshuar strukturën etnike në veri. Komunarët këtë e vlerësojnë si tendencioze dhe të paqëndrueshme.
Mitrovicë: Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, thotë se e vërteta është krejt ndryshe. “Strukturat ilegale serbe prej pasluftës të mbështetura nga Beogradi kanë ushtruar një politikë me qëllim të spastrimit etnik të shqiptarëve nga atje”.
Ai thekson se si pasojë, më shumë se 10 mijë shqiptarë janë dëbuar nga shtëpitë dhe banesat e tyre. “Nuk ka të dhëna të sakta, mirëpo dihet se mbi 10 mijë shqiptarë janë dëbuar nga veriu dhe janë detyruar të jetojnë në strehimore kolektive në jug, mandej të gjejnë strehim me qira e kështu me radhë”.
Procesi i rindërtimit që ka filluar në veri, sipas Balës, është projekt me qëllim të krijimit të kushteve për kthimin e të zhvendosurve. “Asnjë qytetar shqiptar që nuk e ka pasur shtëpinë në veri nuk është vendosur atje”.
Bala thotë se strukturat ilegale serbe kanë blerë pronat e shqiptarëve pas luftës me lejen e UNIMK-ut dhe kanë ndërtuar ndërtesa shumëkatëshe ku janë vendosur kolonë nga serbë të ardhur nga jashtë Kosovës. “Në veri ka rreth 200 shtëpi të shqiptarëve që kanë mbetur të rindërtohen dhe mbi 400 banesa të uzurpuara”.
