Kalo te lënda

Ish i fejuari dyshohet për vrasjen e Leonorës

f_0406102231189_mLeonora Rekaliu, 18-vjeçarja nga Dobratini i Podujevës, e cila ishte zhdukur një javë më parë, është gjetur e vdekur. Babai i saj akuzon ish-të fejuarin e vajzës së tij si autor për zhdukjen dhe vrasjen e Leonorës.

Ai ka thënë për gazetën Kosova Sot se nga ana e policisë nuk ka pasur seriozitetin e duhur në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë që komandanti i Stacionit Policor të Podujevës ka pohuar se policia po vijon hetimet dhe është në pritje të rezultateve të autopsisë. Policia i ka në listën e të dyshuarve katër persona.

Ali Rekaliu, babai i Leonorës, shpjegon se vajza e tij ka dy vjet që ishte e fejuar dhe se në qershor të vitit të kaluar ishte prishur fejesa nga i fejuari i saj. Ai shprehet se dyshimet kryesore janë në ish të fejuarin, për të cilin nuk dëshironte të jepte informacione të shumta, por tha se ai kishte ushtruar dhunë ndaj Leonorës dhe se familja kishte bërë denoncim në Stacionin Policor. Por, pohon se nuk e kishte pasur bashkëpunimin e policisë.

“Leonora, ashtu si e njohin të gjithë, ka qenë një vajzë e mirë, e urtë, e qeshur”, është shprehur babai i Leonorës.

Ndërkohë, një i afërm i Leonorës, duke mos dashur të identifikohej, deklaroi se disa ditë para zhdukjes së 18-vjeçares ish i fejuari i saj në qendër të Podujevës e kishte goditur dhe ia kishte prerë flokët me thikë.

Isak Ejupi, komandant i Stacionit të Podujevës, thotë se hetimet në lidhje me ngjarjen vazhdojnë dhe se policia në listën e saj i ka 4 persona të dyshuar, mirëpo ende nuk ka një provë që i lidhë ata me zhdukjen apo me vrasjen e Leonora Rekaliut.

Lini një koment